Midis guximit dhe kujtesës” – Tribunë për rolin vendimtar të gruas shqiptare në rrugën e lirisë

Në një atmosferë dinjitoze dhe reflektuese, u mbajt tribuna me temën “Midis guximit dhe kujtesës – roli i gruas shqiptare në rrugën e lirisë”, një aktivitet që solli në qendër të vëmendjes kontributin e jashtëzakonshëm të gruas shqiptare në periudhat më të rëndësishme të historisë kombëtare.

Tribuna u hap me intonimin e Hymnit Kombëtar dhe Hymnit të Republikës së Kosovës, ndërsa u moderua nga Laureta Thaqi, e cila theksoi se ky organizim nuk ishte vetëm një diskutim publik, por një akt kujtese dhe respekti ndaj sakrificës dhe qëndresës së grave shqiptare.

Në fjalën hyrëse u vlerësua roli i gruas si shtyllë e lirisë – nënë, motër, luftëtare dhe mbështetje e palëkundur në rrugën drejt çlirimit, shpeshherë në heshtje, por gjithmonë me guxim të jashtëzakonshëm.

Tribuna u përshëndet nga producentja e saj, Zyrafete Kryeziu-Manaj, si dhe nga nenkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, ndërsa mbështetja institucionale e Komuna e Drenasit u vlerësua si kontribut i rëndësishëm në realizimin e aktivitetit.

Programi përfshiu referate dhe trajtesa nga personalitete të fushave të ndryshme, të cilat ndriçuan dimensione të shumta të rolit të gruas shqiptare – nga demonstratat dhe lëvizjet kombëtare, te lufta çlirimtare dhe mërgata. Ndër referueset ishte edhe Flora Brovina, e cila trajtoi kontributin e grave në rrugën drejt lirisë.

Në kuadër të programit u interpretua monologu “Imazh Malli”, u prezantuan pika muzikore nga Ansambli “Shotë Galica” dhe u lexua një deklaratë për opinionin publik lidhur me drejtuesit e UÇK-së. Aktiviteti u përmbyll me ndarjen e mirënjohjeve për kontribuuesit.

Mesazhi kryesor i kësaj tribune ishte i qartë: sakrifica dhe kontributi i gruas shqiptare janë pjesë e pandashme e historisë sonë kombëtare dhe duhet të ruhen në kujtesën kolektive si themel moral i lirisë dhe shtetndërtimit.

Organizatorët theksuan se kujtesa nuk është vetëm rikthim në të kaluarën, por përgjegjësi për të ardhmen – për të nderuar, për të mësuar dhe për të mos harruar kurrë rolin e gruas në rrugën drejt lirisë së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

VLEN pa qëndrim për rezolutën në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut – deklarata të forta, por pa vendim konkret

Koalicioni VLEN ka reaguar lidhur me rezolutën e dorëzuar në Kuvendin e Maqedonia e Veriut, …