Elmije Plakiqi

Elmije Plakiqi: Flijimi si zgjedhje e lirisë,nga individi te ideali kolektiv

Flijimi është një prej koncepteve më të lashta dhe më të thella të historisë njerëzore. Jo si një akt i thjeshtë sakrifice por si shprehja më e lartë e vetëdijes njerëzore; dhe rruga më e dhimbshme, por më e drejtë, drejt lirisë.

Flijimi për lirinë përfaqëson momentin kur individi tejkalon interesin personal dhe shndërrohet në subjekt historik. Ai nuk vepron më vetëm për veten, por për kolektivin, për kombin, për brezat që ende nuk kanë lindur.

Kjo është arsyeja pse flijimi konsiderohet akt sublim: sepse është zgjedhje e vetëdijshme, jo detyrim; është akt moral, jo rastësi.

Flijimi është akti më sublim i njeriut, sepse kërkon të heqësh dorë nga vetja, për diçka më të madhe se vetja. është zgjedhja për të duruar dhimbjen sot, që brezat të jetojnë të lirë nesër.

Flijimi si zgjedhje e lirë tregon se liria e vërtetë nuk qëndron vetëm te të jetuarit pa kufi, por te të jetuarit sipas vlerave që i japin kuptim ekzistencës. Flijimi i vërtetë nuk mund të imponohet. Kur sakrifica kërkohet me forcë, ajo humbë vlerën morale dhe kthehet në shfrytëzim. Vetëm kur lind nga ndërgjegjja e lirë, flijimi bëhet frymëzim dhe shembull për të tjerët.

Flijimi dhe liria janë dy nocione që përgjatë historisë, janë shfaqur shpesh të ndërthurura mes veti. Shembuj të shumtë historik tregojnë qartë se flijimi dhe liria janë të pandashme. Qoftë në filozofinë antike, në traditat fetare, në lëvizjet politike botërore apo historinë kombëtare shqiptare; flijimi i vetëdijshmëm ka qenë mjeti përmes të cilit njeriu ka afirmuar lirinë e tij më të thellë.

Historia na tregon se liria e vërtetë nuk fitohet pa flijim, dhe se flijimi merr kuptim të plotë kur buron nga zgjedhja e lirë.

Flijimi për liri është një fenomen universal, i cili shfaqet në historinë, kulturën dhe ndërgjegjen e shumë popujve në botë. Ai nënkupton gatishmërinë e individit ose një grupi individësh, për të sakrifikuar, jetën, mirëqenien apo interesat personale në emër të lirisë, dinjitetit dhe të ardhmes së përbashkët. Ky fenomen nuk i përket vetëm një kombi apo epoke të caktuar, por është pjesë e përvojës njerëzore në përgjithësi.

  • Një nga shembujt më të hershëm filozofik të flijimit është Sokrati, në Greqinë e lashtë.

I dënuar me vdekje nga shteti athinas, ai kishte mundësi të arratisej, por zgjodhi të pranonte dënimin. Ky akt nuk ishte dorëzim, por flijim i vetëdijshëm për të mbrojtur ligjin dhe të vërtetën. Sokrati dëshmoi se liria morale është më e rëndësishme se jeta, dhe se njeriu mbetet i lirë edhe përballë vdekjes, nëse vepron sipas ndërgjegjes së vet.

Rruga drejt lirisë kolektive është gjithmonë rezultat i veprimeve individuale, që tejkalojnë interesin personal dhe bëhen udhërrëfyes për shoqërinë dhe popullin e tyre.

Kur individi zgjedh të flijohet për liri, ai nuk e mohon veten por e tejkalon atë. Ai kalon nga “unë” te “ne”, nga e përkohshmja te e përjetshmja, nga interesi personal te ideali kolektiv, duke u bërë udhërrëfyes për të tjerët dhe duke krijuar rrugën drejt lirisë kolektive.

Por ky flijim shtrihet edhe përtej luftës së armatosur. Flijimi për liri përfshin edhe burgosje, përndjekje, mohim të të drejtave themelore dhe sakrifica të përditshme. Shembuj të tillë kemi mjaft në historinë njerëzore, si në: Indi, Afrikën e Jugut, SH.B.A. etj.

  • Mahatma Gandi – (Indi) – flijimi për liri – pa dhunë (1919-1947)

Gandi sakrifikoi jetën personale, rehatinë dhe sigurinë, duke zgjedhur rrugën e rezistencës paqësore, kundër kolonializmit britanik. Ai pranoi burgim e vuajtje personale për të çliruar Indinë nga sundimi kolonial.

Filozofia e Gandit bazohet në dy koncepte: mos dhuna dhe forca e së vërtetës.

  • Nelson Mandela – flijimi për barazi dhe pajtim në Afrikën e Jugut

Mandela kaloi 27 vite burgim, duke sakrifikuar jetën familjare dhe personale. Flijimi i tij u shndërrua në ideal kolektiv kundër aparteidit në Afrikën e Jugut. Ai tregoi se liria e vërtetë nuk është vetëm çlirim nga shtypja, por edhe çlirim nga urrejtja.

  • Martin Luther King (SH.B.A.)

Ishte një nga figurat kryesore të lëvizjes për të drejtat civile në SH.B.A. U bë simbol i luftës kundër racizmit dhe diskriminimit rcaial, sidomos ndaj afro-amerikanëve.

Veprimtaria e tij ndihmoi në miratimin e ligjeve të rëndësishme si: Akti për të drejtat civile (1964) dhe Akti për të drejtën e votës (1965)

Në vitin 1965 fiton çmimin Nobel për paqe.

Në historinë njerëzore, pothuajse cdo popull ka heronjtë dhe dëshmorët e vet që janë flijuar për liri. Nga luftërat clirimtare kundër pushtimeve të huaja, te revolucionet kundër padrejtësisë dhe tiranisë, flijimi ka qenë forca shtytëse e ndryshimeve të mëdha shoqërore. Popujt që kanë përjetuar robërinë apo shtypjen e kanë parë sakrificën si mjetin e fundit për të ruajtur identitetin dhe ekzistencën e tyre. Shembujt e tillë janë të shumtë si në historinë botërore ashtu edhe në atë shqiptare

  • William Wallac – (Skoci – flijimi për pavarësi kombëtare)

Wallac udhëhoqi kryengritjen kundër sundimit anglez, në shek XIII. Ai u kap dhe u ekzekutua mizorisht, por vdekja e tij forcoi rezistencën skoceze dhe u bë simbol i luftës për liri.

  • Jan Palach – flijimi protestues në qendër të Pragës (1969)

Në vitin 1969, studenti 20 vjecar Jan Palah, u vetëdogj në qendër të Pragës, në shenjë proteste kundër pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë. Akti i tij vetë flijues tronditi shoqërinë dhe mbeti simbol i rezistencës morale ndaj tiranisë.

  • Edhe në historinë shqiptare flijimi është i lidhur ngushtë me lirinë kombëtare: figura si Mic Sokoli, Adem Jashari etj, e bënë simbole të luftës për liri.
  • Mic Sokoli (20 prill 1881)

Mic Sokoli u hodh mbi grykën e topit për të shpëtuar shokët dhe për të ndalë përparimin e forcave armike. Por vepra e tij mbeti simbol i sakrificës dhe vetëmohimit, për lirinë e vendit.

  • Adem Jashari – flijimi për liri kombëtare (mars 1998)

Rezistenca e tij përballë forcave serbe dhe rënia e gjithë familjes, e bënë atë një rast unik në botë, dhe e kthyen në simbol të luftës për liri në Kosovë, duke mobilizuar një popull të tërë.

  • Një nga ngjashmëritë kryesore mes rasteve botërore dhe atyre shqiptare është karakteri vullnetar i flijimit. Një tjetër ngjashmëri është edhe funksioni dhe qëllimi i flijimit. Si rastet botërore, ashtu edhe ato shqiptare, u kthyen në simbole që frymëzuan rezistencë dhe ndërgjegjësim kolektiv.
  • Dallimi kryesor mes rasteve botërore dhe atyre shqiptare qëndron në kontekstin dhe motivin dominues të flijimit. Në shumë raste botërore flijimi lidhet me motive universale si: e vërteta, drejtësia, paqja ose liria shpirtërore. Ndërsa në rastet shqiptare, flijimi është më shpesh i lidhur drejtpërdrejtë me lirinë kombëtare.

Flijimi për liri përbën boshtin themelor të vetëdijes historike dhe identitetit kombëtar të popullit shqiptar. Në rrjedhën e shekujve shqiptarët janë përballur vazhdimisht me pushtime, sundime të huaja dhe mohime sistematike të të drejtave politike, kulturore dhe gjuhësore. Në këto rrethana, liria nuk është perceptuar si diçka e natyrshme, por si një ideal për të cilin është dashur të sakrifikohet individualisht dhe kolektivisht.

Në kontekstin shqiptar, flijimi për liri paraqet sakrificën e individit për mbijetesë, dinjitet dhe lirinë e popullit. Që nga Skënderbeu te Rilindja Kombëtare, Lufta e Dytë Botërore e deri te lufta e Kosovës, flijimi për liri ka qenë themeli i vetëdijes kombëtare shqiptare, duke dëshmuar se liria nuk ka qenë kurrë dhuratë, por rezultat i sakrificës dhe qëndresës së vazhdueshme të popullit shqiptarë.

Që nga rezistenca ndaj perandorive pushtuese, përpjekjet për ruajtjen e identitetit kombëtar te shqiptarët nuk pushuan asnjëherë; sidomos nga vendet fqinje; të cilat e copëtuan, e asimiluan, e depërtuan nga vatrat e tyre, e vranë dhe e masakruan, por asnjëherë nuk e gjunjëzuan. Dhe e gjithë kjo falë atyre që u flijuan, por nuk u thyen dhe nuk u dorëzuan, duke u bërë kështu shembull i flijimit e i sakrificës për kombin e atdheun.

Figura e Skënderbeut në periudhën e sundimit të Perandorisë Osmane simbolizon flijimin e individit, në funksion të lirisë kolektive. Ai organizoi dhe udhëhoqi për më shumë se dy dekada rezistencën shqiptare kundër pushtuesve Osmanë, duke vendosur interesin e bashkimit dhe lirisë kombëtare mbi rreziqet dhe humbjet personale. Vepra dhe heroizmi i tij konsiderohet nga historia shqiptare si themelore për vetëdijen kombëtare në periudhat e mëvonshme të luftërave për liri e pavarësi të kombit shqiptar; pasi shënoi fillimin e një traditë të qëndrueshme të rezistencës për liri dhe unitet kombëtar.

Që nga periudha e Skënderbeut, flijimi për liri ka qenë pjesë e pandashme e historisë shqiptare. Lufta kundër Perandorisë Osmane, nuk ishte thjeshtë përballje ushtarake; ajo ishte një akt i vazhdueshëm sakrifice ku individët dhe populli vendosën interesin kombëtar mbi jetën dhe pasurinë personale.

Fundi i kësaj perandorie i tkurri tokat shqiptare në 28000 km2, duke lënë jashtë trungut amë ⅔ e tokave shqiptare: të dhëna peshqesh vendeve fqinje, nga fuqitë e mëdha të kohës. Por, Kosova dhe viset tjera shqiptare të mbetura nën Serbi dhe vendet tjera fqinje, asnjëherë nuk u dorëzuan dhe asnjëherë nuk e pranuan padrejtësinë që u ishte bëre; por luftuan brez pas brezi për afër një shekull, për të ardhur deri te liria dhe pavarësia e një pjese të tokave të pushtuara – që ishte Kosova.

Në fund të shek. XX, lufta e Kosovës përbën kulmin e flijimit për liri, në historinë moderne shqiptare. Përballë shtypjes sistematike, spastrimit etnik dhe dhunës shtetërore, shqiptarët e Kosovës sakrifikuan jetën dhe pronën për të fituar të drejtën elementare për liri dhe vetëvendosje.

Historia e lirisë së Kosovës nuk është histori e një akti të vetëm, por e një procesi të gjatë qëndrese e sakrifice, që shtrihet nga qëndresa morale te vetëflijimi luftarak. Kjo rrugë simbolikisht përmblidhet në dy figura kryesore: Adem Demaçi dhe Adem Jashari – dy emra, dy forma rezistence, një ideal i përbashkët – liria.

  • Adem Demaçi

Sakrifica e Adem Demaçit përfaqëson një formë të rrallë të vetëflijimit. Jo flijim të menjëhershëm të jetës, por flijim afatgjatë të lirisë personale, të rinisë dhe të jetës private, në emër të dinjitetit kolektiv të një populli.

Për dallim nga format ekstreme të sakrificës, vetëflijimi i Demaçit është i ngadaltë, i vetëdijshëm dhe i përsëritur. Ai zgjodhi burgun, jo një herë, por disa herë, duke e ditur se çdo dalje në liri do të pasohej nga një kthim i tij në izolim. Ky fakt e zhvendos sakrificën e tij nga heroizmi spontan në qëndresë morale të vazhdueshme.

Ideali kolektiv i lirisë së Kosovës nuk u ndërtua vetëm mbi aksione të armatosura, por edhe mbi këtë formë të qëndresës morale. Ndryshe nga sakrificat që kulmojnë me vdekje, flijimi i Demaçit ishte jetesë në mungesë të jetës. Kjo e bën sakrificën e tij të veçantë: një liri e ushtruar brenda robërisë, një individualitet që forcohet pikërisht duke u mohuar fizikisht.

Në rrafshin individual, Demaçi ishte shkrimtar, intelektual, njeri me mundësi për jetë personale dhe krijuese. Por ai zgjodhi të heqë dorë nga jeta, duke e kthyer veten në subjekt të ndëshkimit shtetëror. Prandaj, Demaçi nuk ishte vetëm një njeri i zakonshëm: ai ishte simbol i guximit, i qëndresës morale dhe i besimit të palëkundur se liria është e drejtë e shenjtë e çdo individi dhe çdo populli. Gjatë dekadave të vuajtjes dhe shtypjes në kazamatet serbo-sllave, ai nuk u dorëzua. Fjalët e tij, veprimet dhe sakrificat e tij mbollën farën e lirisë në ndërgjegjen e popullit të Kosovës.

Edhe në qelitë e burgut, mes dhimbjes e padrejtësisë, ai frymëzoi breza të tërë. Ai tregoi se liria nuk është dhuratë, por ideal që kërkon durim, guxim dhe përkushtim.

Në historinë e Kosovës, ka pak individë që kanë arritur të ndikojnë në ndërgjegjen kolektive të popullit si Adem Demaçi. Ai nuk ishte vetëm një politikan, një intelektual apo një shkrimtar; ai ishte simbol i qëndresës morale dhe i besimit se liria është e drejtë e shenjtë e çdo njeriu.

Shumë ngjarje që do të zhvillohen më vonë në Kosovë, shumë demonstrata, protesta, apo akte individuale guximi dhe flijimi, ndodhën jo thjeshtë nga impulsi apo rastësia, por nga ndërgjegjja e formuar ndër vite.

Ky vetëflijim afatgjatë i Demaçit nuk ishte thirrje për dhunë, por përgatitje morale e shoqërisë për momente kur flijimi do të bëhej i pashmangshëm.

Flijimi për liri nga individi te ideali kolektiv ndodh përmes kohës. Me çdo vit burg, sakrifica e Demaçit pushon së qeni thjesht personale dhe shndërrohet në referencë morale për një popull të tërë. Në këtë këndvështrim, sakrifica e Demaçit përfaqëson një nga format më të pastra të kalimit nga individi te ideali kolektiv.

Rasti i Demaçit na mësn se rruga nga individi te ideali kolektiv nuk kalon gjithmonë përmes heroizmit dhe sakrificës ekstreme. Shpesh ajo kalon përmes qëndresës së heshtur, ku njeriu flijohet jo për të vdekur, por për të mos e tradhtuar idealin e lirisë.

Sakrifica e Demaçit përfaqëson fazën etike të luftës për liri. Burgosjet e tij të gjata nuk ishin thjesht ndëshkim politik, por akt i vetëdijshëm i mosnënshtrimit. Nëpërmjet flijimit të lirisë personale, Demaçi ruajti dinjitetin e kauzës dhe krijoi standard moral, mbi të cilin u formësua ndërgjegjja kolektive e rezistencës shqiptare në Kosovë.

Pa këtë pararendje etike të tij, sakrificat e mëvonshme do të rrezikonin të mbeteshin pa kuptim moral.

  • Adem Jashari

Historia na dëshmon, se ndryshimet epokale nuk lindin nga rastësia. Ato lindin nga guximi i një individi që nuk pranon padrejtësinë, që nuk hesht kur kombi i tij vuan, dhe kur shpresa duket e zbehtë.

Me Adem Jasharin sakrifica hyn në fazën e saj ekstreme të luftës për liri. Ajo që për dekada me radhë ishte durim dhe qëndresë morale, shndërrohet në vetëflijim të hapur dhe të pakthyeshëm.

Adem Jashari nuk përfaqëson njeriun e dhunës, por momentin kur durimi etik dhe moral shteron, dhe kur liria nuk lejohet të ekzistojë as si ide, atëherë ajo kërkon flijim dhe flijimi bëhet i pashmangshëm.

Me Adem Jasharin sakrifica arrin kulmin e saj: nga qëndresa morale dhe vuajtja kolektive  ajo shndërrohet në vetëflijim total. Ai e përmbyllë logjikën morale të nisur nga Demaçi dhe e kthen sakrificën në akt themeltar të lirisë së Kosovës.

Me Adem Jasharin vetëflijimi individual kalon në një tjetër nivel: nga aktet simbolike në akt themeltar të rezistencës së armatosur. Ai nuk vepron më i vetëm: Ai përfaqëson momentin kur shoqëria është e gatshme ta përballojë çmimin e lirisë, në mënyrë të hapur dhe të pakthyeshme. Këtu vetëflijimi nuk është vetëm mesazh, por thirrje mobilizuese, që e kthen rezistencën në luftë të armatosur. Ai na mëson se historia nuk ndryshohet nga frika, por nga guximi: nga ata që guxojnë të veprojnë, kur gjithçka duket e pamundur. Dhe se liria nuk dhurohet, por ajo fitohet.

Adem Jashari nuk ishte thjesht një komandant. Ai ishte simbol i guximit, i vendosmërisë dhe i sakrificës për liri. Me veprën e tij ai ndryshoj jo vetëm fatin e tij, por historinë e gjithë popullit të Kosovës; duke u bërë pike referimi, udhërrëfyes moral dhe frymëzim për një komb të tërë.

Sakrifica e Adem Jasharit dhe familjes së tij u bë referencë morale për popullin e Kosovës, duke transformuar aktin individual në idealin kolektiv të lirisë.

Rasti i Adem Jasharit dhe familjes së tij përfaqëson një formë ekstreme të vetëflijimit kolektiv. Këtu, vetëflijimi bëhet akt themeltar: jo thjesht reagim ndaj dhunës, por krijimi i një narrative morale që mobilizon një popull të tërë, me qëllim që të thyhet frika e popullit dhe të filloj rezistenca e armatosur. Me këtë rast, sakrifica individuale dhe spontane transformohet në projekt kolektiv për çlirimin e vendit.

Dhe, pikërisht këtu qëndron madhështia e individit, në aftësinë për të udhëhequr pa pushtet, për të frymëzuar pa imponim dhe për të treguar rrugën pa e ditur nëse do ta arrijë vetë fundin e saj.

Mes këtyre dy figurave madhore të kombit, mes Demaçit e Jasharit qëndron populli i Kosovës. Mijëra burgosje politike, maltretime fizike e psikologjike, përjashtime nga puna, ndalim arsimimi, dhunë policore dhe frikë e përditshme.

Këtu flijimi nuk ka emra monumentesh, por ka qëndrueshmëri kolektive. Njerëz që e pranojnë vuajtjen, për të mos e pranuar nënshtrimin. Kjo është sakrificë jo heroike në pamje, por themelore në substancë; sepse, liria e Kosovës nuk u ndërtua vetëm nga aktet e jashtëzakonshme, por nga akumulimi i vuajtjes kolektive.

Nga burgjet politike te familjet e dëbuara, nga rezistenca paqësore te lufta e armatosur – cdo etapë ishte vazhdimësi e së mëparshmes.

Historia e rezistencës shqiptare në Kosovë nuk fillon me luftën e organizuar, por me akte individuale të guximit e sakrificës, të cilat i paraprinë dhe përgatitën terrenin për të.

Veprimet e Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut e të tjerëve, janë flijime spontane, pa garanci suksesi dhe pa mbështetje kolektive (masive). Këta individ nuk synuan fitore ushtarake, por synuan ta thyejnë normalitetin e nënshtrimit. Këto akte janë forma të revoltës individuale: kur individi thotë “jo”, edhe kur e di se çmimi është jeta.

Këto akte nuk prodhuan çlirim të menjëhershëm, por krijuan diçka shumë të rëndësishme: shembullin moral, duke dëshmuar se rezistenca është e mundur dhe se frika nuk është diçka e pashmangshme.

Këta individ nuk janë vetëm figura historike, por hallka të një procesi moral, ku liria fillon si akt personal guximi dhe përfundon si ideal kolektiv.

Kështu, rruga drejt lirisë së Kosovës kalon nga vetëflijimi individual, që thyen frikën, te sakrifica kolektive që e bënë lirinë të pashmangshme.

Por përtej analizës teorike, flijimi është thellësisht njerëzor dhe emocional. Ai mbart dhimbje, lot të pathënë, ëndrra të pa përmbushura dhe jetë të ndërprera. Liria që ne sot e gëzojmë, nuk erdhi si dhuratë e kohës, por si rezultat i një qëndrese të gjatë, të dhimbshme dhe të ndërgjegjshme të një populli që refuzoi të jetojë pa dinjitet. Qytetarë të thjeshtë, intelektualë, studentë, luftëtarë, dhe familje të tëra u bënë bartës të një ideali që tejkalonte jetën personale. Por, përtej kësaj flijimi në Kosovë ka një dimension thellësisht emocional. Ai është gdhendur në varret e dëshmorëve, në dhimbjen e nënave, në heshtjen e fëmijëve dhe në plagët e një shoqërie që mbijetoi përmes vuajtjes. Çdo hap drejt lirisë ishte një akt guximi, i shoqëruar me humbje të mëdha, por edhe me një besim të palëkundur se liria ishte e domosdoshme.

Liria që e gëzojmë sot është fryt i atij flijimi. Por ajo nuk është e pakushtëzuar dhe as e përhershme. Ajo kërkon kujtesë historike, përgjegjësi qytetare dhe angazhim të vazhdueshëm për drejtësi, barazi dhe shtet ndërtim.

Le ta nderojmë flijimin, jo vetëm me fjalë, por me vepra – duke qenë të bashkuar dhe duke ndërtuar të ardhmen me dinjitet. Kështu sakrifica merr kuptim dhe liria mbetet e shenjtë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: Zhvilloi me sukses punimet mbledhja e Komitetit Kombëtar të OVP të LANÇ-it

Albert Z. ZHOLI: Zhvilloi me sukses punimet mbledhja e Komitetit Kombëtar të OVP të LANÇ-it

Ditën e premte më 27 shkurt, u zhvillua mbledhja e radhës, e paralajmëruar, e Komitetit …