Qëndresa heroike e Prekazit e 5, 6 dhe 7 marsit e vitit 1998 ka qenë njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët. Derisa po mbronin pragun e nderin e familjeve, ata po mbronin edhe nderin e kombit e atdheut. Edhe pse krahasim me armikun, armatimi ishte i pakët, tanët bënin qëndresë të fortë, ata kishin moral të ngritur, sepse e dinin pse dhe për cka po luftonin.
Shembullin për të mos u dorëzuar e ka ndjekur edhe Bujar Zenë Jashari e shumë të tjerë.
Familja e Zenë Jasharit, lirisë së Kosovës i fali tre bij në lulen e rinisë: Avdullahun, Bujarin dhe Blerimin. Së bashku me bijtë kishte rënë edhe nëna e tyre, Bahtije Jashari.
Bujari lindi më 10 Tetor 1987. Shkollën fillore e nisi në Skeëderaj tani SHFMU “Shaban Jashari”. Edhe pse i ri, ai përcillte me vëmendje lëvizjet që bënin familjarët. Ishte në dijeni të aktivitetit që zhvillonin Jasharët.
Bujari, tok me vëllezërit dhe kushërinjtë e tij të moshës rinore, krahas obligimeve në mësim, bënin edhe vëzhgimin e terrenit, duke përcjellë lëvizjet e forcave serbe, të cilat po përforcoheshin dhe po përgatiteshin për të sulmuar Jasharët e Prekazit.
Sidomos prej kohës së daljes publike të UÇK-së, në nëntor të vitit 1997, familja e ngushtë dhe e gjerë Jashari e Prekazit, kishte marrë të gjitha masat për të rezistuar kundër forcave okupatore. Pothuajse çdo natë mbaheshin tubime në odat e këtyre trimave, të cilët po projektonin rezistencën, e cila parashihej të përfshinte tërë Kosovën. Të gjithë burrat të Jasharëve ishin të armatosur.
Natën e 4 marsit të vitit 1998, Zenë Jashari me bashkëshorten, Bahtijen dhe bijtë, Avdullahun, Bujarin dhe Blerimin ndodhej në shtëpinë e Halitit, ndërsa Valdeti vëllai ndodhej në shtëpinë e Hamit Jasharit, në roje. Me rastin e shpërthimit të luftimeve Zenë Jashari ndodhej në bodrumin e shtëpisë, ku pas shpërthimit të një granate të forcave serbe goditet nga dera, e cila e kishte zënë përfundi dhe disa orë mbetet pa vetëdije. Mëngjesi i 5 marsit sapo kishte aguar, e gjithë lagjja ishte rrethuar tre rrathësh nga forcat serbe. Në të njëjten kohë, me predha artilerie qenë goditur shtëpia e Legjendarit, e Halit Jasharit ku ndodhej Bujari e Hamit Jasharit e gjithë lagja, ku edhe kishte filluar rezistenca e armatosur.
Prej ditës së parë të sulmit të forcave ushtarake e policore serbe kanë rezistuar me armët e tyre e me gjithë familja e Bujarit.
Në rrethana të një rrethimi të hekurt, të goditur nga të gjitha anët me armë të rënda të artilerisë kanë rënë në altarin e atdheut: Bujar Zenë Jashari me dy vëllezërit Avdullah e Blerimin dhe nënën Bahtije Jashari, Halit e Elheme Jashari, Hajzer, Murtez, Sabrije, Hanife dhe nënën e tyre Mihrije Jashari.
Në ditën e katërt, serbët kishin tërhequr kufomat, të cilat fillimisht i dërguan në “Servisin” e Lah Tushilës, në dalje të Skënderajt, ku edhe u bë identifikimi i tyre.
Trupat e këtyre dëshmorëve dhe dëshmoreve të kombit prehen në Kompleksin e varrezave në Prekaz, ku janë varrosur të gjithë të rënët, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998. Para shtëpisë së rezistencës së Halit Jasharit është ngritur një kompleks përkujtimor, ku janë skalitur në mermer fotot dhe emrat e këtyre 11 të rënëve, të kësaj dege të lagjes Jashari të Prekazit.
Nga familja e Bujar Jasharit kanë shpëtuar: Zena babai i dëshmorit, Miradia gjyshja e dëshmorit, Valbonja e Lendita motrat e dëshmorit, Xhevdeti e Valdeti vëllezërit e dëshmorit.
Familja e Zenë Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Skenderajt, Drejtoria e Arsimit etj. për të rënët:, Blerimin, Abdullahun, Bujarin e Bahtijen.
Emri i Bujarit, është skalitur në mesin e emrave të nxënësve dhe dëshmorë e martirë, në shkollën “Shaban Jashari” në Skënderaj. Kujtimet e vetme të mbetura për familjen e Bujarit janë disa rroba, të cilat ndodhen në ekspozitën “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, kushtuar 1133 fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Jasharët sërish kanë ngritur kullat e tyre dhe me bijtë, bijat, nipat e mbesat po vazhdojnë jetën, krenarë për veprat e baballarëve, nënave, motrave e vëllezërve, që u bënë gurë themeli për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. (Vlorë Sahit Jashari)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
