Mehmet Bislimi: Ahmet Qeriqi ishte dhe mbeti biri më besnik dhe më i përkushtuar i nënës Shqipëri!

Mehmet Bislimi: Ahmet Qeriqi (ikje në amshim)

Duke ngarendur nëpër hapësirën e botës së tij të brendshme, në kronikat e rrugëtimit të tij njerëzor, mbi të gjitha modest në gjirin e ngrohtë të mitit epik, lirik, analitik, jetësor, historik, krijues etj. Ai ishte një intelektual i mirëfilltë, që u përball me sprovat e mëdha të jetës, ndeshur me batica dhe zbatica të harlisura të cilat i përballoj në heshtje pa u thyer e përkulur, pa u luhatur e nënshtruar, pa u medyshur e dyzuar, jo asnjëherë!
Ai thjeshtë, para një viti ishte në mesin tonë, si njeri i urtë që nuk rëndoj e shqetësoi askënd, madje edhe kur iku, shqetësimet i mori me vete, me të vetmin qëllim; që neve si pasues të këtij rrugëtimi, të na e bënte këtë kalërim më të lehtë drejt ngritjeve dhe zbritjeve të stadit intelektual, kombëtar, krijues e mbi të gjitha njerëzor.
Sa i çuditshëm është ligji mbi atë që i thonë rrugëtim jete, dhe këtë e vumë re më së mirë ne, që kemi mbetur këndej për të kryer detyrat e atdheut, mbi të gjitha obligimet njerëzore para se të ikim “andej” pa kusure si:

Ka njerëz që i shohim edhe kur na mungojnë!
Ka njerëz që nuk janë më në mesin tonë, por që përditë me ta bisedojmë!
Ka njerëz që i kemi pranë përditë e nuk i shohim!
Ka njerëz që përditë i takojmë e me ta nuk flasim e bisedojmë!
Ka njerëz që nuk vuajnë, duke u hequr për të u parë!
Ka njerëz që flasin e nuk kuptohen!
Ka njerëz që hiqen zvarrë, vetëm e vetëm për t’u parë!
Ka njerëz që një jetë të tërë, nuk janë ankuar e qarë!
Ka edhe njerëz që nuk flasin, nuk imponohen, nuk hiqen, por që shihen, dëgjohen e kuptohen!
Ka njerëz që mungesa e tyre e ve në siklet një qytet e katund!
Ka njerëz që edhe kur ikin, nuk ndihen askund!
Ka edhe të atillë që kur ndihen të tjerët i mbytë smirëzia!
Ka edhe të atillë, që kur ikin qanë me lot Shqipëria!
Ka njerëz që edhe pas vdekjes na mësojnë!
Ka edhe të atillë që për së gjalli na tmerrojnë!
Ka të atillë që mbi ndërgjegjen e tjetrit duan të ngritën!
Ka njerëz që një jetë të tërë e vrasin kot ditën!
ka edhe të tillë që i varë në litar e nuk shitën!
Ka njerëz të mirë, që ta hapin dritaren e zemrës për ta parë diellin!

Luteni, mos e keqpërdorni këtë dhunti:
Me diellin nuk mateni dot, thoni shëndet e mos thoni plaç, kaç kërkohet nga ne, kaç dhe vetëm kaç; thoni shëndet e mos thoni Plaç!

Ai, dhe ata njerëz me dinjitet, u munduan për ne, ata harruan veten e tyre, ata dukeshin sikur kishin ardhur nga një botë tjetër enkas për të ndarë me ne, vuajtjet dhe gëzimet e jetës. Po, e saktë: Sa herë që kam ndenjur me bacë Ahmetin, kurrë nuk kam ndjerë ndrojtje së mos po gaboj, jo, ai nuk i shfrytëzonte gabimet njerëzore të tjetrit, ai i urrente vetëm ato, që ishin djallëzore, dhe këta djallëzorë, Ahmeti i ka urryer tërë jetën, ai nuk i urrente gabimet njerëzore.

Baca Ahmet (që ne e thërrisnim në shenjë respekti), përjetësisht priste zërin e një kasneci që do sillte pranverën e madhe, në fakt ai nuk ishte thjeshtë, vetëm një pritës dëshmitar, jo, Ai ishte një bashkëvuajtës, bashkudhëtar, bashkëmendimtar, bashkëluftëtarë, një liridashës që së bashku me popullin po prisnin ditën e madhe, ditën e bardhë, për të cilën ai ishte përpjekur e përpëlitur tërë jetën e vet. Ai e arriti këtë ditë, dhe sikur u lehtësua nga barra e rëndë, që po rëndonte mbi supet e tija! Prandaj ai “zgjodhi” të ikte pikërisht në ditën e Dëshmorëve, në ditën e mësuesit, në prag të ditës se nënave, në ditën e besimit në tokë e qiell, në popull, në komb e zot, në jetë e mot- këtë do ta lakmonte secili nga ne, njëkohësisht secili, nuk do ta këtë ketë fat e dhunti, që natyra e paska ruajtur vetëm për te! Po, pusho i qetë baca Ahmet, pusho në zemrën e atdheut, pusho përjetësisht në Fronin e nderit!

Ai, ketë ditë të bardhë, e priti e përjetojë, dhe iku me sy të mbyllur nga plotnia e misionit shpirtërore, ai iku e shkoi…
Neve na takon vetëm një reflektim i sinqerta mbi jetën e tij, dhe të bijve tanë të devotshëm, jetë me plot katrahura, kujtojmë me nostalgji vitet kur nga ata kishim çka të marrim, dhe nga vetja jonë, kishim çka të japim. Këshilla e tij mbetet një mision unik në memorien e kohanikëve. falë dashurisë së punës dhe përkushtimit të tij për familjen, për shoqërinë, për atdhe e dhe, për ne!…

Ky dyzim i ndjenjave njerëzor për njerëzit e mirë, që nuk i kemi më në mesin tonë, siç ishe ti, miku ynë bacë Ahmeti, mua më dyfishon respektin dhe angazhimin për të plotësuar aspiratat e brezit në ikje… natyrisht kujtesën e përmallshme të atyre moteve kaq të afërta dhe kaq të largëta!…

CH-07.03.2026

Kontrolloni gjithashtu

Labinot Dervishaj: Profesor Ahmet Qeriqi të nderohet si Hero Kombëtar

Sadik Halitjaha: Akademi për Ahmet Qeriqin në njëvjetorin e kalimit të tij në amshim

Më 07.03.2026 – Dita e Mësuesit Akademi për Ahmet Qeriqin në njëvjetorin e kalimit të …