Babi, një vit pa Ty, një jetë me mall dhe frymëzim

BABI- Kaluan 366 ditë të mbushura me mungesën tënde të thellë, me mallin që nuk shuhet, me dëshirën për të ndjerë prani, udhëheqje, dashuri. Çdo ditë që kalon, e verej se sa shumë na duhen këshillat e tua, drejtimi Yt, dhe qetësia Jote. Na mungon Babi, më shumë se ç’mund të shprehet me fjalë.

Dje, në akademinë përkujtimore për Ty, ishin të gjithë ata që të deshën me zemër. Erdhën nga të katër anët e Kosovës, për të ndarë kujtime, për të nderuar veprën tënde, për të treguar se sa i madh ishe dhe mbete. Çdo sy që shihje mbante mallin dhe respektin për Ty. Çdo buzëqeshje fshehte mirënjohje, çdo heshtje tregonte mungesen e thellë që na ke lënë.

Aty ishim ne, familja jote e ngushtë: nana, motrat, vëllezërit, mbesat dhe nipat, qe e ndjemë boshllëkun që ke lënë. Na le herët, Babi, ndërkohë që ende kishim nevojë për Ty, për forcën, për mençurinë, për dashurinë tënde të pafund…

Por ne nuk u dorëzuam. Ashtu si na ke mësuar: jeta na sfidon, na përplas, na hedh në dallgë… por pikërisht aty ku shkon valë më e fortë, lind dhe fuqia jonë më e madhe.

Ky vit ka qenë një testament i dashurisë që të gjithë kishin për Ty. Shokë, miq, bashkëpunëtorë, secili në mënyrën e vet, të ka vendosur në piedestal. Çdo kujtim, çdo histori, çdo lot që u derdh, tregonte se sa shumë je dashur dhe respektuar. Dje, të gjithë ishin aty për Ty, për të ndarë dashurinë që nuk shuhet kurrë.

Babi, do të jetojmë me mallin tënd. Do të mundohemi të ndjekim çdo hap tëndin, çdo mësim që na ke lënë. Idealet e tua kombëtare, atdhetare dhe humane do të jenë udhërrëfyesi ynë i përjetshëm. Trashëgimia jote nuk matet me pasuri materiale; ajo matet me dritën që ke ndezur në zemrat tona, me mendjen e shndritshme që na ka mësuar të shohim më lart, të ëndërrojmë më larg, të guxojmë më shumë.

Çdo dokumentar, çdo intervistë, çdo kujtim i regjistruar me zërin tënd, është sot dritë që na udhëheq. Çdo ditë që kalon, na mëson se si të jemi më të mirë, më të fortë, më të drejtë.

Babi, je fat i madh për NE. Na ke dhënë më shumë se çdo pasuri: dije, vlera, drejtësi, guxim dhe dashuri të pakufishme. Do të të kujtojmë gjithmonë. Do të të duam përtej jetës, përtej kohës. Nuk do të të harrojmë kurrë. Ti mbetesh përjetësisht udhërrëfyesi ynë, forca jonë dhe frymëzimi i pakufishëm.

Babi, në këtë përvjetor, ne të nderojmë. Dhe premtimi ynë është: çdo hap që hedhim, çdo veprim që ndërmarrim, do të jetë në dritën e vlerave dhe dashurisë Tënde. Ti nuk ikën kurrë nga ne, sepse je pjesë e çdo fryme që marrim, e çdo ëndrre që ëndërrojmë, e çdo beteje që përballemi… Te dua pafundesisht BABI.

Kontrolloni gjithashtu

Ramiz Tafilaj: Veriu i Kosovës është pjesë integrale e Republikës se Kosovës

Ramiz TAFILAJ: Kriza e zgjedhjes së presidentit: kalkulimet politike dhe frika nga përgjegjësia

Dështimi i zgjedhjes së presidentit të ri në Parlamentin e Kosovës nuk është thjesht një …