Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës. Sipas vendimit të Gjykatës, masa është vendosur ex officio dhe ndalon çdo veprim të presidentes në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe çdo veprim të Kuvendit për sa kohë që kjo masë është në fuqi. Gjykata ka theksuar se masa e përkohshme synon “parandalimin e shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Kosovë”. Si pasojë, presidentja nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja deri në një vendim tjetër të Gjykatës. Çështja në Gjykatë u dërgua nga kryeministri Albin Kurti në emër të Qeverisë së Kosovës, e cila kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2026 për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë të Kuvendit. Në kërkesë thuhet se dekreti mund të jetë në kundërshtim me disa nene të Kushtetutës, përfshirë nenin 4 për ndarjen e pushteteve, nenin 7 për vlerat kushtetuese, nenin 16 për epërsinë e Kushtetutës, si dhe nenet 82, 84 dhe 86 që lidhen me shpërndarjen e Kuvendit dhe kompetencat e presidentit. Gjykata, e kryesuar nga Nexhmi Rexhepi, caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci si raportuese të rastit dhe u kërkoi palëve, kryeministrit, presidentes dhe kryetares së Kuvendit, të dorëzojnë komentet dhe dokumentacionin përkatës deri më 11 mars.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
