Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti se planifikojnë ta sjellin në Kuvend më 30 qershor një ligj që, sipas tij, lejon ndërrimin e gjinisë dhe martesat e së njëjtës gjini. Rrahmani tha se kjo është pjesë e agjendës legjislative për vitin 2026 dhe se askush brenda Vetëvendosjes nuk është tërhequr nga kjo nismë. Sipas tij, shumë kandidatë të kësaj partie gjatë fushatës zgjedhore kishin deklaruar se ligje të tilla nuk do të silleshin në Kuvend. Ai akuzoi deputetët e VV-së, se kanë mashtruar votuesit për të fituar mbështetje politike, duke thënë se ata kanë qenë në dijeni për këtë agjendë që në fillim. “Secili që ka qenë në listë të VV-së e ka ditë që Albini nuk është tërhequr nga kjo agjendë”, ka shkruar Rrahmani. Deputeti u bëri thirrje edhe figurave publike dhe intelektualëve që kanë mbështetur Kurtin, që sipas tij t’u japin sqarime qytetarëve për mbështetjen e tyre ndaj kësaj agjende, të cilën ai e cilësoi si të dëmshme për familjen dhe shoqërinë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
