(Sprovë për të gdhendur portretin prej poeti, intelektuali, atdhetari e dëshmori të Mustafë Shytit, duke lexuar monografinë e Bedri Tahirit FLAKADANI I LIRISË…)
FISNIKËRIA E PËRKUJTIMIT
Bedri Tahiri-Kronisti i Kokave Kryengritëse
Një institucion sa autonom po aq dhe autoritar në përjetësimin e figurave që punuan, luftuan e u flijuan për çlirim dhe bashkim kombëtar
Bedri Tahiri shkruan me pasion, me dashuri, me përkushtim e me durim të veçantë. Dhe tek shkruan kështu bukur, qartë, rrjedhshëm, ëmbël, hirshëm, ai shkruan me një frymëzim të rrallë. Ai shkruan sepse ai flet me zërin e shekujve që padrejtësisht heshtën. Ai shkruan sepse fjalën e ka zë, ai kuvendon me fletët e bardha që shpalosen përpara tij, si një mall që e thënë me fjalët e poetit kombëtar Naim Frashërit, vie si Eni prej Çamërie, që vie si një frymëzim i thellë, si një kënaqësi dhe krenari që nuk mbaron as në përjetësi, e që vetëm qiellin mund ta ketë kufi. Ai shkruan sepse ai kuvendon me kohën, me ata që i dhanë vulën dhe zulmën. Tek hesht, ai kredhet në mendime, ai shpalos ide e lartëson emra, ai bashkon zemra e gdhend mermerin e atyre që me gjakun më të të dlirë shkruan autobiografinë e kombit të vet. Tek shkruan, ai njëkohësisht druan se mos ka harruar dike, se mos i ka mbetur dikujt borxh, se mos nuk po ia jep krejt hakun e merituar atyre që për lirinë e shenjtë të tokës mëmë, dhanë çdo gjë.
Sakaq, ai e kthen kokën prapa, pastaj shikimin e hedhë përpara, shikon drejt shtigjeve të ardhmërisë. Njeh dhe shquan të bijtë e denjë të Shqipërisë, nderon dhe lartëson luftëtarët e papepur të lirisë së Kosovës. Ndalet për një çast dhe çmallet me ta, por sikur nuk mjafohet as me kaq. Ai mëton ta çon më tej takimin e tij me levendët e lirisë së Shqipërisë. Mendon për ta e flet me ta. Udhëton e bashkëbisedon me ta. Tok me ta ai ia vë shpatullat atdheut të vet, të cilit ia falë flatrat e fjalës, e martrirëve të tokës mëmë ua falë penën dritë, fjalën amshim, tek e çon në vend amanetin e tyre. Ai i takon ata gjithmonë në logun e luftës e në odeonin e fjalës shqipe. Ua shtrëngon duart, ua ngjeshë sërish armët, ua ndrinë rrobat, ua puthë emrat, ua lartëson shkronjat, ua bekon krismat e pushkëve, ua përjetëson të bëmat dhe idealet e tyre. Ulet këmbëkryq në ballin e oxhakut, me ta e shtron sërish sofrën e vëllazërisë, nderon votrën e atdhadashurisë, lartëson ndjenjën e fisnikërisë dhe përkulet tek u falet aaq denjësisht, sa prej mençurisë po aq edhe prej bujarisë: sa herë që shkruan, sa herë që bluan ato mendime të rralla e ato kokrra kripe që si pika kristali shpalosen në peshën e fjalës si me peshë mali, tek pena çelë shtigje drite dhe nderon burrat e mëdhenj të shqiptarisë.
Sa e sa herë ka folur me ta, sa sa herë ka shkruar për ta. Sa e sa herë i ka përjetësuar ata, i ka nderuar ata! Sa e sa herë i ka ringjallur dhe i ka risjellur në kujtesën tonë kolektive!
Kësaj radhe, në sofrën e tij të madhe, shtruar në Kullën e Qëndresës Kombëtare, është ulur këmbëkryq, me Heroin Mustafë Shaqir Shytin…
Mustafë Shqir Shyti është një personalitet shumëdimensional, një intelektual atdhetar në kuptimin e mirëfilltë të këtij epiteti, një njeri me ndjenja të theksuara për njerëzoren dhe kombëtaren, një veprimtar i shquar si për hovin djaloshar ashtu edhe për vrullin e pandalshëm revolucionar, një mendje e kthejllët, e mprehtë e përplot vigjilencë, një pishtar drite, dije dhe diturie, një atdhetar i devotshëm e i pathyer, i pamposhtshëm, i papërkulur në qëllimin e tij të shenjtëruar për ta çliruar atdheun e robëruar nga vargojtë e gjatë të okuptarorit shekullor.
Mustafë Shyti ishte një uragan i pandalshëm. Ai doli nga populli, hyri në gjirin e popullit e foli përplot zjarr dashurie, e pa popullin e tij në sy e foli gju më gju me të, dhe njëlloj mbeti i dashur e i çmuar nga populli i tij, sepse zemra e tij e madhe rrahu gjithë jetën për lirinë dhe mëvehtësinë e popullit të tij të përvujatur, të cilit ia fali jetën duke u përë jo vetëm pjesë e lirisë së ëndërruar ndër shekuj, por në radhë të parë pjesë e përjetësisë së gjakuar e të fituar në mënyrën më të merituar.
Ai iu përgjigj kushtrimit të kohës, jehonës së shekujve që mbledhur ishte tek Trumpeta e Krujës. Ai ishte luftëtari i penës dhe i pushkës, i tribunës dhe aksionit, luftëtari i dritës dhe luftëatri i lirisë. Ai ishtepoeti me vargjet prush si të Tirteut, ai – kalorës i Urdhrit të Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut.
Ai-mësuesi mëmëdhetar, ai-ushtar i atdheut, ai-dëshmor i kombit, ai- poeti me mitraloz, ai-idealisti i papërkulur, ai-krynegitësi i pathyeshëm, ai-fanar në rrugën e lirisë së një kombi martir, ai-të cilit urdhrat e ndërgjegjës kombëtare i erdhën ashtu siç kishte porositur Pashko Vasa: për krerë dhe e bindën për ushtarë.
Ai, të cilit kronisti Bedri Tahiri i cili i ngjallë salamanderët prej zjarrit të penës së tij e feniksët prej hiri, ia fali një epitet si një margaritarë të rrallë.
Mustafë Shytin koha e thirri drejt përjetësisë, prandaj kronisti ia fali epitetin e madhështisë: Flakadani i Lirisë.
Pra, këtë herë, Bedri Tahiri – institucioni që si rrallëkush nderon atë që Lasgushi (ky këngëtar finok i thelpinjve të hollë lirik e i shqipes së shkruar si një zjarr i qëruar fjalësh) do ta pagëzonte si Pelerinata e Gjakut, do të ndalet tek një emër të cilin Brezintë Orëmira e kanë fort për zemër, një emër që shkroi faqe lavdie e krenarie, një emër që u bë shembëlltyrë e një qëndrese të pathyer dhe përmbi të gjitha mbeti një firmament gjaku e flakë e gjallë atdhedashurie: Mustafë Shyti.
Gjuha e nëntekstit të monografisë së Bedri Tahirit është sa e qartë po aq edhe mjaft domethënëse. Duke theksuar natyrën kryengritëse të bashkëudhëtarit dhe të bashkëmendimtarit të tij, ai ka përdour shprehjen e rrallë: ‘ato ditë të zjarrta’, duke iu referuar 28 Nëntorit të vitit 1968, kur Mustafë Shyti ka shkuar poezinë kushtuar Flamurit, me po të njëjtin titull.
Nuk ka dyshim se poezinë e Mustafë Shytit e shquajnë edhe thirrjet e zjarrta, të hapura, të drejpërdrejta për liri. Poezia e tij është sa origjinale aq edhe e vetvetishme, është poezi e figuracionit të pasur, e rimave të puthura, e mendimit të mprehtë si dhe e gjykimi të thellë. Si e tillë, ajo na i kujton thirrjet e Hilë Mosit e të Ali Asllanit për luftë e liri, në një kohë që me stilin e të shkruarit, ai na i përkujton edhe poezitë e Shaban Shalës, Fazli Graiçevcit, Jusuf Gërvallës, Halil Alidemës, Xhelal Ferizit, Kadri Kadriut etj.
Si e tillë, ajo meriton një nderim dhe përjetësim institucional, gjë që del edhe nga gjuha e nëntekstit të Bedri Tahirit.
Monografia e tij në të vërtetë është zemër-thirrje që dhuntia krijuese dhe madhështia flijuese e Mustafë Shytit të konkretizohet e të institucionalizohet, e që e thënë me fjalët e poetit të thelpinjve të hollë lirik Lasgush Poradecit, do të thotë ‘të përcëllosh drejt shqipes zjarrin drithërues të ilirishtes’:
- Themelimin e një çmimi letrar gjithëkombëtar: Mustafë Shyti-Poeti Liberator. Ushtar i Atdheut, Dëshmor i Kombit.
- Ngritjen e Shtatores së Mustafë Shytit në Qytetin e Mitrovicës.
- Ngritjen e Shtatores në Qytetin e Vushtrrisë, ku së bashku me Profesorin dhe Poetin Martir Latif Berisha, do të prisnin e përcillnin vizitorët e shmtë në hyrje të Vushtrrisë.
- Shpalljen e Mustafë Shytit, Qytetar Nderi të Prishtinës, Mitrovicës dhe Vushtrrisë.
- Botimin e plotë të krijimtarisë letrare të Mustafë Shytit, duke përfshirë edhe temën e Diplomës së Normales, si dhe përmbledhjet poetike.
Shprehim shpresën se të paktën, 30-vjetori i shkuarjes së tij në përjetësi, do t’i gjejë institucionet tona në nivelin të cilin ua obligon përmasa e jetës dhe e veprës së Poetit Liberator.
Prirem të shpresoj se çdo eveniment për të do të jetë solemn, akti do të jetë shumë më shumë se ceremonial, kurse sfondi do të jetë ai që koha dhe kronisti vetë ia falën për misionin dhe vizionin e tij: Mermeri më Monumental.
Prirem të them kështu, sepse janë krenarë ato kombe që kanë njerëz të tillë, janë me fat ato brezni orëmira që kanë atdhetarë të tillë, të cilët me shembëlltyrën e tyre të papërsëritshme janë vetë: Nderi dhe Krenaria e Kombit.
Qoftë i paharruar në jetë të jetëve, kujtimi dhe nderimi i Breznive Orëmira për Mustafë Shytin!
Pena dritë, Bedri Tahiri, për këtë Flakadan Lirie që nuk do të shuhet kurrë!
Londër, mars 2026
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
