Në mëngjesin e 24 marsit 1999, toka e Shalës së Bajgorës u drodh nga zhurma e tankeve dhe makinerisë serbe. Babai im, Nysret Zymeri, së bashku me Isa Mërnicën – komandantin Shpendi, qëndruan të palëkundur dhe luftuan me guxim e dinjitet deri në frymën e fundit për mbrojtjen e atdheut.
Pas orësh të gjata përballjeje, ranë heroikisht në altarin e lirisë. Ata u ndanë nga jeta, por u bënë të pavdekshëm në historinë dhe në zemrat e popullit tonë.
Unë atëherë isha vetëm 1 vjeç e 5 muajsh. Familja ime, së bashku me dhjetëra banorë të lagjes, u strehuam në një bunker, disa qindra metra larg vijës së frontit, duke u fshehur nga lufta. Ishte një kohë që nuk mund ta kuptoja… por gjyshi më ka treguar se, në çastin kur pushuan krismat e armëve, zemra e tij e ndjeu se babai im nuk do të kthehej më.
Edhe pse vitet kanë kaluar, mungesa jote nuk është zbehur kurrë. Krenaria dhe dashuria për ty jetojnë çdo ditë në zemrën time.
Pavarësisht largësisë, sot shpirti im është pranë varrit tënd.
Sakrifica juaj nuk harrohet kurrë. Liria që gëzojmë sot është e shkruar me gjakun tuaj.
Lavdi dhe nder i përjetshëm dëshmorëve të kombit.
Lavdi dëshmorëve të UÇK-së. 
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
