Sadik Halitjaha: KU E KANË HALLIN LUFTËTARËT E KOSHARËS, KUR KËRKOJNË PASAPORTA SHQIPTARE?!

Nuk ju mjaftojnë këto të Kosovës? Tani janë hequr vizat dhe janë ekuivalente me të gjitha pasaportat e shteteve përreth! Mos vallë duan ta implikojnë Shqipërinë, sikur se luftëtarët në Koshare na paskan qenë ushtarët e Shqipërisë? Kështu edhe ata armiqtë që kanë raportuar në Beograd nga ajo betejë e kanë shkruar dhe kanë thënë se jemi duke u përballur, pos me “terroristët” e Kosovës, edhe me Ushtrinë Shqiptare të Shqipërisë.

Realiteti është që Shqipëria i mbështeti me të gjitha mënyrat dhe mundësitë luftëtarët në Koshare nga prapavija. Njësoj, luftëtarëve të Koshares u ndihmonte edhe NATO. Pse pikërisht tani u duhen pasaportat shqiptare? Si u bënë bashkë dhe kush i shtyu ta bëjnë këtë kërkesë në Ambasadën e Shqipërisë? Nga cili tubim i tyre, nga cili organ u kërkua dhe kush e aprovoi në emër të të gjithëve që të kërkohen pasaporta?

Mos vallë janë aq të frustruar sa duan të jenë në çdo gjë të veçantë? Mos po mendojnë se kjo “specie” është në zhdukje? Apo mos këta paskan qenë “supermenë” dhe e konsiderojnë veten çlirimtarët e vetëm të Kosovës?

E di që këtë synim, për të hyrë në fund të luftës, e kanë pasur qëllim të tyre “farkistët”: të futen në Kosovë dhe ta paraqesin veten si çlirimtarë të Kosovës. Kjo ishte kauza dhe qëllimi i tyre. Këta, edhe pse nuk mund ta mohojnë se ishin me emblemën e UÇK-së, duhet pranuar se përgatitjet dhe organizimin e mësymjes së kësaj beteje e ka bërë kryesisht Agim Ramadani, i cili i kishte premtuar Ramush Haradinajt, në momentin e ndarjes me të.

Kur Tahir Zemaj dezerton me tërë brigadën e tij, Agimi e kontakton Ramushin dhe e pyet: “A nuk do të largohesh?” Ramushi i thotë: “Jo, unë do ta vazhdoj luftën deri në vdekje apo çlirim.” Agimi ndihet keq kur e sheh me pak ushtarë Ramushin që po mbetet në fushëbetejat e Dukagjinit dhe i premton, duke i dhënë fjalën, se edhe ai do të kthehet, veç me më shumë luftëtarë që do t’i mobilizojë dhe do t’i sjellë nga Shqipëria.

Ky premtim u përmbush nga Agim Ramadani, por u vonua nga sabotuesit aq sa mundën ta vonojnë. Organizator tjetër ishte Nasim Haradinaj, i cili ishte në koordinim me Shtabin e Përgjithshëm në Kleçkë dhe me komandantin e përgjithshëm Azem Syla, si dhe me komandantin e Divizionit të Kukësit, Kudusi Lama.

Këta bien në kontakt me Agimin dhe shumë luftëtarë, si dhe me Rrustem Berishën, ish-epror në APJ, i cili pranon ta marrë përgjegjësinë e komandantit të kësaj brigade sulmuese në Koshare. Kjo ndërhyrje u bë me rreth 1300 luftëtarë.

Kjo mësymje në Koshare ishte planifikuar para granatimeve të NATO-s; qëllimi ishte të krijohej një korridor tokësor dhe të lidheshim me Shqipërinë nga ZOD dhe ZOP, me qëllim që të depërtonim të plagosurit për shërim në Shqipëri, si dhe të furnizoheshim me armë. Gjë që, që nga janari i vitit 1999, ishte bërë e pamundur pasi kufiri shqiptaro-shqiptar ishte blinduar nga forcat e shumta serbe.

Prandaj na duhej një shpërthim, mirëpo kjo u shty. Mendoj se vetë qeveria e ekzilit e sabotonte luftën dhe i mbante rekrutët e gatshëm për t’u kyçur në luftë në qendrat stërvitore, duke pritur momentin të hynte me forcat ndërkombëtare bashkë me ta, duke trumbetuar se “ne erdhëm dhe ju çliruam, o popull”.

Ndërsa këta “rebelët” – “terroristët” e UÇK-së – sipas tyre, vetëm ju kanë kallur dhe nuk ju kanë mbrojtur nga serbët, sepse nuk kanë qenë të zotë. Ky ishte qëllimi dhe strategjia e tyre: që qeveria e ekzilit të ndante pushtetin me Serbinë dhe ndërkombëtarët, duke i ndjekur luftëtarët e UÇK-së si kriminelë e terroristë.

Kjo mendësi dhe kjo moto i ka përcjellë gjatë gjithë luftës së UÇK-së. LDK-ja kishte caktuar këshilla për mbledhjen e të dhënave për UÇK-në, për gabimet apo krimet që mund të bënin gjatë luftës, dhe këto t’i kishin në dorë bashkë me shërbimet serbe dhe ndërkombëtare. Kjo u vërtetua edhe me themelimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Nga këto “prova” të sajuara, të dërguara EULEX-it, UNMIK-ut dhe Serbisë, sot gjykohen udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm. Kjo mendësi, ky qëllim, si dhe frika e hezitimi, e vonuan hyrjen në betejën e Koshares.

Ndoshta arsyeja kryesore ishte se duhej të bindeshin që liria ishte afër, pasi NATO, dy javë para se të hynin këta në luftë, kishte filluar granatimet mbi forcat serbe më 24 mars 1999, ndërsa luftëtarët e Koshares mezi hynë më 9 prill, me urdhër të prerë të Azem Sylës, në orët e hershme të mëngjesit.

Tani shtiren si “supermenë”, sikur të jenë trimat më të mëdhenj. Kanë ndjenja deliri dhe narcizmi, sidomos disa nga komandantët e togjeve dhe kompanive. Pas luftës, ia mëveshin vetes trimërinë e luftëtarëve dhe shfrytëzojnë sakrificën e dëshmorëve.

E bëjnë veten gjeneralë këta “vodnikë”, “zastavnikë” e “potporuçnikë” të ish-JNA-së.

Bëjnë filma imagjinarë krahas filmave të armiqve serbë. Atyre serbëve u është dashur hiperbolizimi i forcave të palës shqiptare; u është dashur ta zmadhojnë deri në atë masë sa të implikojnë edhe Shqipërinë, po ashtu të fajësojnë NATO-n, për ta justifikuar më lehtë humbjen dhe dështimin – largimin nga beteja si dhe (dezertimin) e tyre nga kjo betejë e lavdishme në Koshare.

Kjo gjendje po u konvenon edhe disa komandantëve të njësive të kësaj Brigade 128 “Agim Ramadani”. Këta glorifikues dhe “kidnapues” të vlerave reale të luftëtarëve i veshin vetes meritat e trimërisë dhe të rezultateve. Katër-pesë ish-nënoficerë të APJ-së, me petkun e trimërisë, po i shkelin dhe i mospërfillin luftëtarët e vërtetë që ishin fuqia luftarake; këta kapërrerë të gjitha meritat i marrin për vete.

E rrisin dhe e madhërojnë Betejën e Kosharës aq shumë, sa që e lënë nën hije, apo e mohojnë, gjithë luftën dyvjeçare të UÇK-së. Këta, me më pak se dy muaj luftë në rreth 10 km depërtim e hapësirë, e paraqesin veten si vendimtarë. Aq shumë e rrisin këtë vlerë, sa edhe këngët kanë ndryshuar ritmin dhe prioritetet – nga Koshara në Prekaz. Do të thotë, mbulohet Epopeja e UÇK-së dhe sakrifica e trimëria e Jasharajve.

Si ka kuptim të thuhet se “ishim 150 luftëtarë dhe çliruam 50–100 hektarë”, kur as deri në Botush nuk mundën të arrijnë? Me më pak se dy muaj luftë i bënë të gjitha dhe qenkan çlirimtarët e Kosovës?! Ndërsa UÇK-ja, me dy vite luftë e shtrirë në gjithë Kosovën, e rrethuar nga forcat armike, me fishekë të numëruar, nuk e ndali kurrë luftën dhe nuk pati asnjë dorëzim nga luftëtarët!

Beteja e Kosharës duhet vlerësuar për të gjitha vlerat e saj: me atë numër të madh dëshmorësh dhe me qindra të plagosur. Po ashtu, në anën tjetër, u vranë shumë armiq dhe u shkatërrua makineri luftarake. Po ashtu pati efekt të madh në krijimin e frikës te armiku dhe në dezertimin e tyre. Natyrisht, pati efekt edhe te ndërkombëtarët – se po thyhej kufiri dhe po bëhej luftë për territor. Po ashtu pati ndikim në moralin e luftëtarëve brenda Kosovës, të cilët kishin të plagosur dhe mungesë armësh e municioni.

Por një gjë duhet kuptuar: këta të frustruar narcizoidë nuk duhet ta mbivendosin Luftën e Kosharës mbi luftën e përgjithshme të UÇK-së. Nuk duhet të bëhen filma e përralla çdo ditë në TV, duke glorifikuar veten mbi luftëtarët që kanë bërë luftëra shumë më të vështira dhe në kushte shumë më të rënda për dy e më shumë vite.

Përballë atyre që e kanë përgatitur me dekada këtë luftë, duke përjetuar burgje, dhunë, shtypje e linçim, deri sa e sollën kryengritjen çlirimtare – ju, nënoficerë dhe oficerë të JNA-së, ishit të përzgjedhurit me biografi të përshtatshme familjare për Jugosllavinë. Ju e dini mirë se kjo mundësi nuk u jepej bijve të familjeve patriote anti-jugosllave.

A e shihni nga ku ishin ndarjet: ju pro-jugosllavë titistë, ne anti-jugosllavë? Ne e organizuam dhe e bëmë luftën çlirimtare vullnetarisht, me ideal të lartë patriotik; i përballuam burgjet, torturat e vuajtjet dhe luftuam me armët e Shqipërisë, në bashkëpunim të vazhdueshëm për ta çliruar Kosovën dhe viset shqiptare të pushtuara.

Ndërsa ju, të privilegjuarit e Jugosllavisë, me pushtet e privilegje mbi popullin e robëruar shqiptar, përherë u përshtatët dhe e ruajtët këtë gjendje. Ne ua prishëm matematikat, ju mundëm bashkë me pushtuesin. Ky ndryshim raportesh u shkaktoi pakënaqësi edhe disa qarqeve evropiane që dikur kishin ndarë tokat shqiptare dhe që synonin ta ruanin atë krijesë artificiale – Jugosllavinë.

Prandaj, duhet t’ju vijë pak turp para popullit dhe luftëtarëve vullnetarë që bënë luftë shumëvjeçare. Ju ishit mercenarë në atdheun tuaj. Duhet ta ndalni këtë vrap pas lavdisë dhe privilegjeve, e sot kërkoni vazhdimisht vlerësim, pushtet e madje edhe pajisje me pasaporta të Shqipërisë.

A e mendoni se kemi mijëra njerëz nga Medvegja, Bujanoci e Presheva, të cilëve Serbia ua ka pasivizuar adresat – ua ka hequr nga librat amë dhe nga kadastri? Këta njerëz bredhin rrugëve të Kosovës me ndonjë leje të përkohshme, pa pasaporta e pa adresë fikse. Pushtetarët tanë nuk i ndihmojnë as për jetën e tyre nomade, as për dokumente.

Si nuk ju vjen keq për këtë kategori?

Po të kishin kërkuar pasaporta dhjetëra eprorë karriere të ardhur nga Shqipëria në luftën e UÇK-së – si Tahir Sinani, Dilaver Gogje, Bardhyl Tahiri, Avni Shehu, Spiro Butke, Kodusi Lama, Ilir Dako, Maliq Doçi, Arqile Mando e të tjerë – bashkë me qindra luftëtarë nga Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe Ilirida, si dhe familjet e dëshmorëve nga këto vende, do të ishte simbolike dhe e drejtë t’i pajisnim me pasaporta të Kosovës, sepse e meritojnë.

Më mirë të pyesim: kush u tha ish-luftëtarëve të Kosharës, apo në emër të tyre, të pajisen me pasaporta të Shqipërisë? Cila është arsyeja dhe domosdoshmëria?

Pushoni ju llafazanë e trumbetues hiperbolizues, se po e irritoni popullin me vetëlavdërime e fodullëk. Ndërsa ne, në zonat tjera, edhe pse kishim nga shtatë brigada dhe mbronim qindra mijëra civilë në male e lugina, me institucione lufte si RKL, KosovaPress dhe Shtabi i Përgjithshëm, kemi zhvilluar dhjetëra beteja e qindra aksione e prita.

Nuk rivalizojmë e as nuk fryhemi, sepse nuk ndihemi inferiorë. Nuk bëjmë hiperbolizime si disa komandantë togjesh nga Koshara.

Lavdi dëshmorëve të gjithë kombit.
Respekt për luftëtarët e të gjitha luftërave.
Respekt e konsideratë për Betejën dhe luftëtarët e Kosharës.

26 mars 2026
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Argjend Nystret Zymeri: 24 Mars 1999 – Heroizëm që jeton përjetë

Në mëngjesin e 24 marsit 1999, toka e Shalës së Bajgorës u drodh nga zhurma …