Sadik Halitjaha: Po biem pre e mosmarrëveshjeve mes veti të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të bashkuara të Amerikës

Sadik Halitjaha: Vlerësoj lart shkrimin e Profesor Ahmet Qeriqi, të shkruar në momentin e ndarjes nga jeta të Hysen Imeri (Komandant Ceni)!

Ky shkrim, i ripublikuar nga Rrezarta Qeriqi Pushkolli më 28 mars 2026, paraqet karakteret më të veçanta të kolonel Hysen Imeri, oficer i karrierës me gradën e kolonelit, si dhe oficerin Kastriot Hoxha.

Oficerët ishin pedagogë të përzgjedhur për cilësinë, lartësinë profesionale, aftësinë dhe atdhedashurinë. Këta oficerë, që ishin me dhjetëra nga fusha të ndryshme dhe nivele më të larta në profesionin dhe artin ushtarak, përbënin një elitë të vërtetë.

Më 26 mars të vitit 1988, derisa isha në Shqipëri në cilësinë e Sekretarit Politik të OMLK-së, në bashkëpunim për më shumë se pesë muaj me kreun e shtetit shqiptar dhe strukturat udhëheqëse e të shërbimeve, si dhe me gjeneral Veli Llaka, shef i Ushtrisë Shqiptare, punuam shumë në analiza dhe të dhëna të fushës ushtarake, si dhe në strategjinë “Shpërthimi”, e cila ishte përgatitur me urdhrin e Enver Hoxha në vitin 1982.

Pasi bëmë shumë punë së bashku me strukturat e shtetit shqiptar, sidomos me Komitetin për Kosovë në krye me Ajet Haxhiu, vizitova shumë magazina me armatime të shumta dhe të të gjitha llojeve, të destinuara për Kosovë.

Kërkova të vizitoj lapidarin e Shote Galica në Fushë-Krujë, si dhe lapidarë të tjerë në Shqipëri. Vizitova edhe varrin e Enver Hoxha dhe pranë tij u betova. Në të gjitha rastet vendosa lule të freskëta.

Atë ditë më priti në takim Ramiz Alia. Gjatë një bisede rreth 10–15 minuta, më shoqëroi Remzi Dema. Pas përshëndetjes, “Baca Ramiz” më pyeti si e kisha kaluar gjithë këtë kohë në Shqipëri.

Unë i raportova shkurt për atë që kisha konstatuar nga puna jonë. Ai m’u drejtua vëllazërisht: “Shoku Sadik, krejt çka është e jona është edhe e juaja. Ju bëni punën tuaj siç jeni duke e bërë dhe mendoni se lufta nesër mund të ndodhë, por mos na futni në aventura, sepse e kemi të vështirë pa gjetur edhe ne aleatë të fortë, pasi Jugosllavia e ka Rusinë aleate.”

Ai vazhdoi: “Në një moment kur Jugosllavia mund të ketë një luftë të brendshme, siç tregon analiza juaj, ose një luftë të jashtme, ne duhet bashkërisht ta nxjerrim Kosovën nga robëria.”

Në fund, i kërkova të përgatiteshim si anëtarë të organizatës për luftën e ardhshme. Në këtë pyetje më tha: “Me kohë do të veprojmë.” U përshëndetëm me shtrëngime të forta duarsh, duke i uruar shëndet atij dhe ai neve suksese.

Ramiz Alia kishte urdhëruar, me një urdhër të veçantë dhe jo publik, që ushtria shqiptare të mundësonte ushtrime parapërgatitore për luftën në Kosovë për ata që vinin nga Kosova dhe Perëndimi.

U përdorën poligonet në Milot dhe në Surrel. Pedagogët dhe oficerët e lartë u caktuan nga Shkolla e Oficerëve të Bashkuar “Enver Hoxha”. Drejtori i kësaj shkolle, atëherë kolonel dhe gjatë luftës së Kosovës shef i ushtrisë, gjeneral Aleks Taçe Andoni, përgatiti planet dhe programet e ushtrimeve, së bashku me gjeneral Kostaq Karoli. Këta dy gjeneralë ndihmuan më vonë luftën e Kosovës edhe drejtpërdrejt.

Të përgatiturit për luftë ishin në dy ose më shumë grupe, si grupi i Sali Çekaj dhe ai i Adem Jashari. Adem Jashari i dyfishonte ushtrimet.

Konsideratat që kanë shprehur eprorët shqiptarë, si Imer Hyseni dhe të tjerë, janë ndër vlerësimet më të larta të kohës së ushtrimeve, pa i përzier me heroizmin e mëvonshëm të Epopeja e UÇK-së.

Kështu janë shprehur edhe bashkë-ushtruesit si Isuf Ismajli, Jakup Nura, Fadil Mirena dhe të tjerë. Isufin dhe Fadil Mirenën i kam marrë nga Austria për në Zvicër, pasi ishin detyruar të largoheshin jashtë vendit, sepse ishin spiunuar me emra në lista të dërguara në UDB nga dikush në Tiranë, nga përfaqësia e Kosovës.

I kam deklaratat e këtyre dy shokëve të idealit, si për ushtrimet, ashtu edhe për rrezikun që u kishte kanosur spiunimi dhe demaskimi pranë autoriteteve jugosllave.

Ahmet Qeriqi diti t’i vlerësojë dhe çmojë nismëtarët e përgatitur në Shqipëri në mënyrën dhe lartësinë më të merituar, duke vendosur në piedestalin më të lartë Adem Jashari – karakterin, burrërinë, trimërinë dhe gatishmërinë për sakrificë.

Ahmeti, me shpirt, përshkruan heroizmin me të drejtë, sepse edhe vetë kishte heroizëm në zemrën e tij. Prandaj gjithmonë e lexoj me vëmendje dhe kënaqësi shkrimtarin prof. Ahmet Qeriqi. I pavdekshëm. Lavdi!

29 mars 2026
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Në adresë të Radios Kosova e Lirë kanë mbërritur letra, telegrame dhe mesazhe ngushëllimi nga të gjitha trojet shqiptare

Nehat Selimi: Një përkujtim nga mërgimi për Profesor Ahmet Qeriqin

 Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të Profesor Ahmet Qeriqit, ndjej një përzierje emocionesh të …