Kur historia e Kosovës rishkruhet me “bojën” e propagandës serbe
Në historinë e popujve që kanë kaluar nëpër gjenocid, lufta nuk përfundon kurrë me nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje. Ajo vazhdon në rrafshin e narrativës, kujtesës kolektive dhe dokumentimit të së vërtetës. Mirëpo, ajo që po shohim së fundmi në Kosovë është një fenomen sa i dhimbshëm, aq edhe i rrezikshëm. Tentimi për rishkrimin e historisë sonë më të lavdishme , përmes penës së autorëve dhe figurave publike shqiptare. Në fakt ky fenomen është pjesë e luftës speciale, dhe zanafillën e ka para, gjatë dhe menjëherë pas luftës.
Nga “Çlirimtarë” në “Incident”
Është e papranueshme që sot, 27 vite pas luftës, të përballemi me botime që kontestojnë vetë thelbin e ekzistencës sonë. Kur Veton Surroi në librin e tij “Këmbët e Gjarpërit” e cilësonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “as ushtri, as çlirimtare”, ai nuk po jepte thjesht një opinion , ai goditi legjitimitetin e luftës dhe lëvizjes më të rëndësishme për liri që ka pasur ky popull.
Edhe më shqetësues është rasti i historianit Frashër Dema, ku në projekte të përbashkëta historiografike, Masakrën e Reçakut, e cila vulosi ndërhyrjen e NATO-së, e relativizoj duke u quajtur si “incident”. Reçaku nuk ishte incident, ai ishte gjenocid i dokumentuar nga bota mbarë. Përshkrimi i Frashër Dema për këtë masakër (që duhet t’i merret titulli i akademikut, i marrë jashtë ligjshëm) si “incident” , është fyerje për viktimat dhe një dhuratë e çmuar për propagandën zyrtare të Beogradit, e cila prej vitesh tenton ta fshijë këtë krim.
Shpifja si “Shkencë”
Nuk mbaron me aq. Narrativa kundër UÇK-së vazhdon me shpifje nga Dimal Basha , përmes bashk autorësisë në një shkrim të botuar në revista ndërkombëtre, pra bashkë me një maqedonase, lidhur me burimet e financimit të UÇK-së. Deklaratat e Shkëlzen Gashit, i cili minimizon numrin e viktimave të masakrave serbe në Kosovë, dhe tenton t’i paraqesë si të armatosur të burgosurit e Burgut të Dubravës, që ekzekutoheshin me duar të lidhura, janë jo vetëm historikisht të pasakta, por moralisht të papranueshme. Si mund të ishin të armatosur njerëzit që nuk kishin as lidhëset e këpucëve në qelitë e Dubravës?
Kostoja e “vetëvrasjes” Historike:
Nga Librat e shkrimet te Gjykata e Hagës!
Ky rishkrim i historisë nuk mbetet vetëm brenda mureve akademike apo debateve televizive, ky narracion ka prodhuar pasoja të prekshme dhe të dhimbshme për shtetësinë tonë. Plasimi i këtyre shpifjeve, ka shërbyer si lëndë e parë për organet e ndjekjes ndërkombëtare, që edhe ashtu janë shërbyer mjaftueshëm me dosje të montuara nëpër bodrumet e shërbimeve sekrete serbe.
Është një fakt i hidhur se narrativat e prodhuara nga këta autorë shqiptarë kanë përfunduar si referenca në dosjet e Prokurorisë Speciale në Hagë. Kur figura tona publike kontestojnë pastërtinë e luftës së UÇK-së, ata i japin municion atyre që duan ta barazojnë viktimën me agresorin. Kjo ka krijuar një dëm të pariparueshëm strategjik, ritushimet e autorëve tanë janë kthyer në pranga për krerët e UÇK-së. Ky është paradoksi më i madh i lirisë sonë , ku liria e shprehjes përdoret për të burgosur lirinë tonë historike.
Rreziku i “Dorës së Zgjatur”
Këto shkrime krijojnë edhe një rrezik tjetër bazik. Ato do të shërbejnë si referenca për ata që duan ta minojnë shtetësinë tonë nga brenda. Kur këto teza vijnë nga emra shqiptarë, ato marrin një peshë të cilën Serbia e ka të pamundur ta arrijë me propagandën e saj të drejtpërdrejtë. Kjo duket si një “dorë e zgjatur” që po legjitimon agjendat e huaja në kurriz të sakrificës kombëtare.
Mbrojtja e Vlerave
Duhet mbrojtje institucionale e vlerave të luftës, jo për të instaluar një “të vërtetë zyrtare” dogmatike, por për të parandaluar shpifjen e hapur mbi faktet e vërtetuara botërisht.
Përgjegjësia Intelektuale:
Intelektualët duhet ta kuptojnë se fjala e tyre ka peshë juridike dhe ndërkombëtare.
Historia nuk është pronë private e asnjë autori. Ajo është gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e një populli të tërë. Cilido që tenton ta tjetërsojë atë për interesa personale apo ideologjike, do të mbetet në anën e gabuar të historisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
