Krahas plagëve të shumta të Atdheut tim, një ndër plagët më të rënda është edhe shpërngulja “artificiale” që i bëhet rinisë sonë, duke braktisur tokën mëmë që i lindi dhe i rriti. Të jenë vallë këta bijtë tanë plangprishësit e një epoke që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë shumë shekullore të Arbërisë, apo ka shkaqe më të thella të kësaj arratisjeje të madhe? Cilat janë arsyet që rinia shqiptare ka marrë rrugën e mërgimit me përmasa biblike, duke e lënë Shqipërinë vetëm me pleq e plaka, ku dominojnë moshat mbi 40-vjeçare e lart? Pra, kush është shkaktari? Mos vallë papunësia, niveli i ulët i jetesës, pagat dhe pensionet qesharake, kriminaliteti, korrupsioni i lartë shtetëror dhe pasiguria në zhvillimet politike, apo…?
Këta idiotë që na udhëheqin që prej viteve ’90 e deri më sot, a e kanë vrarë ndonjëherë mendjen se kjo është një dramë nga më ulëritëset dhe një fatkeqësi e madhe kombëtare?! Dëmi më i madh, që pas Luftës së Dytë Botërore, kur ne ishim të pushtuar nga nazifashistët, tashmë nuk është rënia e rinisë sonë si dëshmorë në shtigjet e luftës për lirinë e Mëmëdheut, por është një rënie, apo më saktë një vdekje e “çuditshme” që e shohim në sytë e nënave tona, të cilat mezi përmbajnë lotët. E shohim te shtëpitë e mbetura shkretë dhe te portat e kyçura, ku dorezat kanë zënë aq shumë ndryshk saqë, prej inatit, as nuk duan të lëvizin më. E shohim në fshatra që po shkojnë drejt zhdukjes, aq sa shqiptarët e ardhshëm, në shekujt që do të vijnë, do të habiten nga zbulimet arkeologjike që do të bëjnë, duke gjetur aty, nën dhe, pleq e plaka të muruar së bashku në vetminë e madhe.
Nuk është hiperbolë artistike, por një e vërtetë e dhimbshme deri në qelizë. Duam apo nuk duam, shifrat tregojnë se jashtë Shqipërisë, deri më sot, janë larguar rreth 2.2 milionë shqiptarë, shifër kjo që ka tendencën të kalojë edhe popullatën reale, e cila sipas statistikave të vitit 2023 ishte 2.4 milionë banorë.
Eksodet me përmasa biblike nuk paskan të mbaruar, sepse ai i fundviteve ’90, si rezultat i “terapisë së shokut”, që tronditi tërë Shqipërinë dhe botën, do të shoqërohej nga një tjetër po aq i madh, por edhe më i dhimbshëm se i pari, sepse babëzia e kapitalizmit të ri i manifestoi plagët e veta me gjakun e mijëra viktimave që u vranë e u plagosën, duke kaluar një nga fazat më të vështira – pragun e luftës civile, që do të thotë vëllai të vrasë vëllanë. Po në këtë rast, kush ishte shkaktari i arratisjes së madhe?
Por ja që ndodhi! Populli ynë i shumëvuajtur, tashmë, ashtu si një luan i plagosur rëndë, për të mbijetuar, ka filluar të lëpijë plagët e veta, i shtrirë e pa zë, duke rënkuar rëndë deri në kufijtë e ekzistencës, apo edhe të mosekzistencës së tij. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, faza e krismave të armëve dhe barutit do të zëvendësohej me një variant krejt të ndryshëm: “bashkëjetesën paqësore socialiste”. Një bashkëjetesë që në pamje të parë jepte idenë e një ndryshimi të faqes së jetës së vendit, por ishin të rrallë ata që e kuptonin se, ndryshe nga regjimi i mëparshëm, edhe “regjimi social” i socialistëve do të ishte po aq i dëmshëm, me ndryshimin e vetëm se, nëse te të parët gjaku i derdhur ishte i dukshëm, në këtë të fundit kemi një fenomen të çuditshëm: vetërrjedhje të gjakut, ose më saktë vjedhje të tij, si vampirët e përrallave.
Treguesi më i saktë nuk janë as premtimet, as programet, as fjalimet dhe as e ashtuquajtura “luftë kundër korrupsionit”. Fakti dhe tendenca e largimit të rinisë nga Shqipëria, që është forca më e gjallë e Atdheut, ka domethënien e vet. Shteti ynë është ndër më të degjeneruarit në Evropë; është shteti që, në raport me popullatën, mban vendet më të larta për korrupsion, apo më saktë për banditizëm dhe vjedhje me forcën e ligjit që i mbron.
Shqiptarët, pasi lanë në harresë “gërdallën vrastare berishiane”, aktualisht po përjetojnë një tjetër formë “kusarie”, të cilën të parët e kishin ngritur në profesion, ndërsa këta të dytët, me parulla të majta dhe me vjedhje të djathta, e kanë avancuar më tej. Intervistimi i të rinjve shqiptarë dhe shifrat se ku dëshirojnë të punojnë janë aq tronditëse sa edhe shokuese.
Kjo nuk i shqetëson sundimtarët, sepse banditët tanë të majtë e të djathtë (kupolat e tyre dhe jo njerëzit e ndershëm) nuk e kuptojnë se sot a nesër do të marrin vulën e tradhtisë kombëtare, sepse po e shpopullojnë Shqipërinë. Pse? Sepse sot, te ne, “më i ndershmi” në udhëheqje del ai që ende nuk ka vjedhur – jo sepse nuk do, por sepse nuk e lënë të tjerët, ose sepse ka mbaruar dhe s’ka ç’të vjedhë më.
Ja pse ikën rinia. Po vazhdoi kjo situatë, ndoshta një ditë do të ndodhë fenomeni më i çuditshëm në botë: Shqipëria do të shpërngulet krejtësisht, duke mbetur thjesht një nocion gjeografik pa shqiptarë, me një tabelë të shkruar bukur:
SHQIPËRIA PRONË PRIVATE – VIDHET NGA SHTETI!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
