Smajl Latifi: Beteja e Koshares i dha përmasën e merituar luftës sonë çlirimtare

Beteja e Koshares i dha përmasën e merituar luftës sonë çlirimtare, duke përshpejtuar rrugëtimin drejt lirisë dhe duke e shndërruar atë në një moment përcaktues të historisë sonë. Ajo ishte një kontribut i jashtëzakonshëm që ndikoi drejtpërdrejt në epilogun e luftës, ku Serbia pushtuese u detyrua të nënshkruajë kapitullimin dhe të tërhiqet nga toka jonë, e larë me gjakun e 114 heronjve e të dëshmorëve që ranë në Koshare për lirinë e Kosovës.
Sot, 27 vjet më pas, më 9 prill, kujtojmë fillimin e shembjes me luftë të kufirit shqiptaro-shqiptar, kufi ky i padrejtë e i dhunshëm, që për gati një shekull mbajti të ndarë vëllezër e motra të një gjaku e të një kombi.
Beteja e Koshares përcolli një porosi të qartë, se liria nuk mund të ndalet, se liria kërkon besim të palëkundur, guxim dhe vendosmëri për ta jetësuar idealin kombëtar.
Sakrificat ishin të mëdha. Rëniet e trimave në logun e betejave mbeten përjetësisht amanet për ne që jetojmë të lirë, amanet për ta ruajtur lirinë, për ta nderuar gjakun e derdhur dhe për t’ua përcjellë brezave që do të vijnë si kujtesë dhe si detyrim i madh.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Koshares dhe gjithë dëshmorëve të kombit!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Ekrem Kastrati bëri homazhe në 27-vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit

Në shënim të 27-vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve të kombit, Ibrahim Mazrreku, Kujtim Krasniqi, …