Humbja e Viktor Orbán në zgjedhjet në Hungari pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në dinamikat politike në Ballkan, duke dobësuar pozitën e Aleksandar Vuçiçdhe duke krijuar një dritare të re mundësie për Kosovën. Ai thekson se largimi i Orbanit pas 16 vjetësh në pushtet i heq Beogradit një nga mbështetësit kryesorë brenda BE-së. Ky zhvillim përbën një “goditje” për Vuçiqin, i cili deri më tani ka shfrytëzuar mbështetjen e Budapestit për të siguruar hapësirë manovrimi në strukturat evropiane. Joseph vlerëson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të shfrytëzojë këtë moment për ta pozicionuar vendin si faktor stabiliteti në rajon dhe për të dëshmuar përgjegjësi shtetërore, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ai thekson se Kosova mund të përfitojë nga dobësimi i Serbisë në një periudhë kur Beogradi po përballet me presion në rritje nga Bashkimi Evropian, përfshirë kritikat për reformat në drejtësi dhe mundësinë e pezullimit të fondeve. Joseph nënvizon se roli i Shteteve të Bashkuara mbetet vendimtar për sigurinë në Ballkan, duke rikujtuar se Uashingtoni është boshti kryesor i NATO-s dhe garantuesi kryesor i stabilitetit në rajon. Kosova duhet të shmangë qasjet përçarëse dhe të ndërtojë konsensus të brendshëm, përfshirë bashkëpunimin me opozitën dhe angazhimin ndaj komuniteteve jo shumicë. Prishtina mund të sigurojë mbështetje më të madhe nga Brukseli dhe Uashingtoni, duke përmirësuar pozitën e saj në proceset integruese dhe në arenën ndërkombëtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
