Sadik Halitjaha: Intervistimet me Prof. Ahmet Qeriqin janë kujtimet më të mira!

Kur një njeri i aftë, i një niveli aq të lartë, të ka para vetes dhe ti ndodhesh përballë tij, të krijohet një ndjenjë se ai di shumë dhe gjithçka. Menjëherë të shkon mendja se mund të të bëjë ndonjë pyetje të vështirë, për të cilën zor se mundesh të japësh përgjigjen e duhur!

Por, sapo e fillonte bisedën, me qetësi e urtësi, me një afërsi njerëzore, ai që në hyrje të krijonte rehati me fjalët e ëmbla, por me një peshë të madhe. Nga kjo gjendje që ta krijonte, përqendroheshe dhe e kuptoje se njeriu i ditur di edhe për ty, se çfarë ti di. Kështu që menjëherë ndjeje një siguri të plotë në bashkëbisedim miqësor e vëllazëror.

Kur mund të ndodhte që përgjigjja të mos ishte njëqind për qind e saktë, ai e vazhdonte sikur ajo të ishte përgjigjja jote dhe, pa e kuptuar, përfshiheshe edhe ti në vazhdimin e saj. Biseda rridhte pandërprerë, sikur të ishe vetëm me atë vëllain tënd, diku jashtë kamerave.

Prof. Ahmeti, fjalëpakë, i qetë dhe i butë në sjellje, shumë i patolerueshëm në gabime dhe vendime. Në dukje i qetë, por me një trimëri të pathyeshme. Me psikologjinë e tij i njihte shumë mirë miqtë dhe dashamirët, po ashtu që në pamjen e parë i dallonte armiqtë, dhe qëndrimi ndaj kundërshtarëve ishte përherë i palëkundur.

Ahmeti – fjalë të buta, vendime të forta – kjo e bënte me shumë vlerë dhe të afërt, të dashur e të respektuar nga të tjerët.

Ahmeti diti t’i marrë në bashkëbisedime e intervista njerëzit me vlera të shumta dhe të veçanta, për të nxjerrë gjithë vlerën njerëzore, kulturore e kombëtare në trevat shqiptare.

Prandaj ndiej një vuajtje shpirtërore se si nuk iu afruan mundësitë e duhura këtij kolosi të madh që ta vilte ajkën gjithëkombëtare!

Ahmeti, me të gjitha mungesat teknike dhe të resurseve materiale e humane, arriti maksimumin në dhënien e vlerave për atdheun dhe popullin tonë.

Këtu shihet qartë se Ahmeti është i gjithanshëm dhe shumëdimensional, i interesuar për shumë fusha: për traditën, për artin, muzikën, folklorin dhe eposin kombëtar.

Me këtë rast, bashkëbisedon me Imer Sef Mleqanin, të birin e një patrioti nga një familje që i dha shumë atdheut për liri. U fol për babain e Imerit, simbolin e muzikës popullore, për historikun e familjes, si dhe për jetën e vështirë dhe përballjen e kësaj familjeje me pushtuesin, si dhe pasojat dhe humbjen e jetës së shumë familjarëve që ishin me vlera të veçanta.

Prof. Ahmeti nuk i mbeti borxh Kosovës; i dha gjithçka që pati dhe gjithçka e bëri me mundësitë dhe dijen e tij, pa u ndihmuar nga askush.

Por ne i mbetëm përjetësisht borxh Ahmetit, sepse nuk mundëm të bënim aq sa duhej për njeriun që meritoi më së shumti. Asgjë nuk mori, por të gjitha i dha.

Lavdi veprës dhe jetës së çlirimtarit, shkrimtarit dhe pedagogut kombëtar, Ahmet Qeriqit!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Qëndresa heroike e Tahir Nebih Mehës dhe Nebih Emin Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981

Sadik Halitjaha: SHKRIMI I AHMET QERIQIT PËR TAHIR MEHËN

Autori Ahmet Qeriqi, duke përshkruar ngjarjen krenare dhe tragjike të Tahir Mehen dhe familjes së …