Rrethuar nga bota jonë e vogël, e vogël dhe e trazuar edhe sot, përcëlluar nga flakët e luftërave gjithandej, zbrazur kaq pamëshirshëm mbi kurrizin dhe hapësirën tonë liridashëse… Kohë kjo gjithnjë më e trazuar, ku pasiguria, ankthi dhe ritmi i jetës sonë dinamike, në të shumtën e herës trazon gjumin e natës. Megjithatë, zëri ynë i vrullshëm për ta vënë gurin e vargjeve në murin e Kështjellës sonë të lashtë, vjen nga thellësia e shpirtit, vjen i heshtur, vjen përmallueshëm dhe i pamposhtur, duke trokitur me butësi të habitshme në dyert e vjetra të historisë sonë më të re. Kjo këngë që vjen vetiu kaq hareshëm e me rrapëllima, kaq e qetë e kaq e harlisur njëkohësisht, duke shporrur barrët e rënda të pushtuesve tanë shekullor, ku veç tjerave ndër shekuj, nuk kanë kursyer mjete për të vrarë ëndrrën dhe këngën tonë përnjëherësh!
Edhe pas kaq vitesh, ne mbështesim kokën në shpatullat e reflektimeve tona shpirtërore, që nuk u pajtuan asnjëherë me absurdin e përkohshmërisë brutale. Tani a nuk duken si një burizan i thirrjeve të një bote të largët, në mos si testamente të shkruara për njeriun e asaj kohe, që vrau me zërin e tij, vrasësit e ëndrrës dhe këngës tonë!
Sot, nuk është e lehtë, o sa e rëndë është për dorën e mjeshtrit, për të ri-sjellë portretin e Legjendës Mitike në Gurë, në Urë, në Kështjellë, në Kala, në Kullë, në Këngë… këtë portret, që ne sot e kemi dhuratë në themelet e këngës sonë të përmotshme, shndërruar në mit, legjendë, baladë, përjetësi, hyjni… Në mesin e fushave shumëngjyrëshe, ku muzat thërrasin me notat brilante për këndim e rikujtim, për rekuiemin e zanave, për mallin e nënave, që zërin e këngës Baladë e vendosen në majat e Kepit Epik të lashtësisë sonë. Atje nga ku edhe sot pikon gjiri, pikon loti i dhembjes për foshnjën kërthi, që kërkon të së ëmës gji… tek Urë e Shenjtë!, gjiri i nënës, gjiri i atdheut, gjiri i shoqërisë, gjiri i ngrohtësisë shpirtërore, gjiri i zanave, malli i përjetshëm i nënave- Balada për trimin, këngë e strehuar në gjirin e atdheut për Kushtrimin. Po, për Kushtrimi!…
Bota jonë krijuese në rrënim, ndeshur e kacafytur me kohët e çakorduara “moderne”, ku së bashku me motet e lodhura, po trokasim në portën e vjetër prej drurit, për një hapësirë të vockël meditimi në prehrin e mortjes, ku më pastaj nuk do të pendoheshim për ato vite që ikën e nuk u kthyen më! Këta Perandorë të pakurorëzuar krijuesish, që kërkojnë ngushëllim tek filozofia e meditimit, për të falur dhuntinë e forcës së brendshme shpirtërore me dashurinë e pamatshme të ëndrrës se butë, për t’i dhënë asaj dashuri pa kushte edhe përtej saj!
Sa e madhe kjo zemër e gjithë ustallarëve të letrave (që nga lashtësitë), të gjithë krijuesit; kanë disa ngjashmëri mes vete në raport me kohën, kur ata kanë vënë nga një gurë në themelet e Kalasë së Kepit Epik, si ai i Doruntinës, Rozafës, Odiseut, Iliades, Gilgameshit… Gati të gjitha letrat e shkruara, nisin si një lloj rrëfimi me figura retorike, duke joshur hyjnitë për t’ju dhuruar muzave frymëzimin e vet, muza që trazojnë qetësinë shpirtërore në orët e vona të netëve pa gjumë, tutje falënderojnë të gjithë mbështetësit për ndihmesat e dhëna përgjatë këtij rrugëtimi për t’i dalë në maja e kështu me radhë. Kënga ndryshon në konceptin e saj, ngase ajo do zërin, do ritmin, do timbrin, do muzën dhe përkushtimin, do edhe rimën e zanoreve tona orë e qas. Ajo do një botë tjetër veshjesh me petka që kanë brenda misterin e miteve, misterin e muzave, legjendave, tragjedive, mishërimeve Epike, Lirike, Mitike… dhunti te mjeshtreve këto, që lidhen më përjetësimin dhe transformimin e realitetit në jetë, që i thonë art! Prandaj duke përqafuar peshën e përgjegjësive art-krijuese, përballesh me urtësinë njerëzore për të respektuar denjësisht këtë rrugëtim me veshje të larmishme ngjyrash, gjithnjë duke respektuar rëndësinë e shmangies së arrogancës dhe ruajtjen e dinjitetit deri në përulësi për personazhin mitik, që është atje lartë, atje në maja të majave të Fronit Epik!
maj, 2026
Mehmet Bislimi
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
