Tema të tjera...
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, i ka reaguar ashpër kryeministrit Albin Kurti gjatë seancës plenare të Kuvendit, duke e kritikuar për qëndrimin e tij ndaj Gjykatës Speciale. Ajo tha se Kurti ka pasur mundësi konkrete për të vepruar ndryshe, sidomos sa i përket mbështetjes financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. “Fillimisht i përmende fondet. Janë jashtëzakonisht të rëndësishme, mirëpo e ke pasur mundësinë me e rrit fondin mbrojtës, sepse e din dhe je njoftu në detaje që nuk është i mjaftueshëm”, deklaroi Musliu-Shoshi. Ajo shkoi edhe më tej, duke e sfiduar Kurtin për deklaratat e tij të vazhdueshme kundër Gjykatës Speciale. “Nën dy, krejt fuqinë e ke me zhbë atë gjykatë pasi që je aq shumë kundër saj dhe e thatë që nuk e ke votuar. Pse nuk e merr iniciativën me zhbë atë gjykatë?”, pyeti deputetja e PDK-së. Sipas saj, mbrojtja e çlirimtarëve nuk është vetëm çështje individuale, por mbrojtje e historisë së Kosovës, e luftës çlirimtare dhe e vetë shtetësisë së vendit. “Kryeministër, mbi të gjitha duke i mbrojtur çlirimtarët tanë, e ki parasysh që e mbron historinë dhe të drejtën tonë për të qenë shtet, e mbron luftën tonë çlirimtare, e mbi të gjitha mbron të ardhmen e këtij vendi”, tha Musliu-Shoshi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
