Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, duke dënuar me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviqin dhe Vlladimir Tolliqin, ndërsa Dushan Maksimoviqi është dënuar me 30 vjet burgim. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, e ka vlerësuar vendimin si të drejtë, por ka theksuar se drejtësia ende nuk është përmbushur plotësisht. Sipas tij, procesi nuk mund të konsiderohet i mbyllur pa u arrestuar dhe dënuar të gjithë personat e përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023, përfshirë udhëheqësin e grupit, Milan Radoiçiq. Hoxha deklaroi se grupi terrorist ishte i organizuar, i mbështetur dhe i trajnuar nga Serbia, duke kërkuar presion më të madh ndërkombëtar ndaj Beogradit për dorëzimin e të dyshuarve. Ai e cilësoi sulmin në Banjskë si njërin ndër aktet më të rënda kundër Republikës së Kosovës që nga përfundimi i luftës, me synim destabilizimin e veriut dhe cenimin e sovranitetit shtetëror. Në atë sulm mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa tre zyrtarë të tjerë policorë u plagosën. Hoxha shtoi se reagimi profesional i Policisë së Kosovës bëri të mundur neutralizimin e grupit terrorist dhe rikthimin e kontrollit në zonë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
