OEK kërkon veprime urgjente për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror

Oda Ekonomike e Kosovës i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror, duke vlerësuar se rajoni po hyn në një fazë vendimtare të transformimit energjetik. Sipas OEK-ut, zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor tregojnë një ripozicionim të qartë në hartën energjetike të Evropës. Në këtë kuadër përmenden marrëveshja ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës me Kroacinë për lidhje me terminalin “LNG Hrvatska”, si dhe marrëveshja e re në Shqipëri për gazin e lëngshëm natyror, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. OEK vlerëson se mungesa e Kosovës në këto iniciativa paraqet rrezik serioz për sigurinë energjetike të vendit, si dhe për konkurrueshmërinë ekonomike në të ardhmen. “Kosova nuk ka luksin të mbetet anash, ndërsa rajoni po ndërton infrastrukturën e së ardhmes energjetike me mbështetjen e SHBA-së. Përfshirja në këto projekte është jetike për sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve strategjike”, citohet të ketë deklaruar kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna. Nga Oda Ekonomike është theksuar se çdo përfshirje e Kosovës duhet të bëhet në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë, duke garantuar transparencë dhe procese të hapura konkurruese. Njëherësh, OEK u ka bërë thirrje institucioneve vendore që të intensifikojnë dialogun me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që Kosova të sigurojë rol aktiv në këtë moment kyç për të ardhmen energjetike të rajonit.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, realizoi takim me shefin e Delegacionit të BE-së në vend, Michalis Rokas

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, realizoi takim me shefin e Delegacionit të BE-së në vend, Michalis Rokas

Në Shkup, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, realizoi takim me shefin e …