Sejdi Veseli: Mund të përsëritet skenari i Krimesë, jo vetëm në Bosnje, por edhe në Kosovë!

Sipas të gjitha gjasave ka marrë udhë realizimi i një skenari serbomadh në shtetin e brishtë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Shumë veprime në shërbim të realizimit të këtij skenari janë duke u zhvilluar gjysmë legalisht dhe në heshtje.

Qëllimi është më se i qartë!

Serbo-çetnikët nën udhëheqjen shpirtërore të Kishës “Shensaviane”, risynojnë realizimin e aspiratës së tyre të kahershme nga e cila nuk kanë hequr dorë kurrë. Për nga pesha dhe rrezikshmëria për popujt fqinjë jo serbijan, realizimi i këtij synimi mund të konsiderohet si hapi i parë, drejt krijimit të Serbisë së Madhe. Serbo-çetnikët këtë herë kanë përgatitur një skenar të veprimeve taktike, shumë më ndryshe nga ai i fundshekullit të XX, ngase edhe rrethanat e sotme dallojnë për shumëçka nga ato të atëhershmet. Sipas këtij skenari, me siguri të miratuar dhe mbështetur edhe nga ruset, udhëheqja e të ashtuquajturës “Republika Srbska” ka marrë vendim që me 25 shtator të vitit 2016, të organizojë një referendum, e bindur se do të fitojë legjitimitetin për t’u shkëputur nga shteti i brishtë i Bosnjës dhe Hercegovinës, për të ndërmarrë më vonë hapin e dytë, bashkimin me Serbinë. Në këtë drejtim e kanë fituar betejën në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, me çka e kanë “legjitimuar” mbajtjen e këtij referendumi.

Ashtu si nga shtetet përreth dhe nga Bashkësia Evropiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, institucionet ndërkombëtare, me në krye Këshillin e Sigurimit të OKB-së, as edhe një reagim serioz në raport me rrezikun që po i kanoset jo vetëm regjionit, por edhe Evropës. Të „mençurit“ e politikës evropiane dhe nënbishtat e tyre, sidomos ata të Ballkanit, ndihen të relaksuar përballë këtij realiteti, se gjoja „distancimi“ i Serbisë nga synimet e klanit të Dodikut, qenkan përjashtim i çfarëdo rreziku!?

Përballë kësaj sjelljeje plotë mirëbesim ndaj shovinistëve serbo-çetnik, domosdoshmërish të imponohet dyshimi:  A thua mos nuk e njohin mirë mendësinë e mykur serbo-çetnike, të Beligradit zyrtar apo mos këta të “mençur” e kanë shndërruar në monetë për kusuritje në pazarllëqet e tyre edhe territorin e Bosnjës, ngjashëm me atë të trevave etnike shqiptare.

Mendoj, se përgjigja në këto dyshime nuk është diçka e vështirë!

Së pari, si duket nuk e kanë kuptuar apo nuk duan ta kuptojnë, se edhe Serbia po e luanë rrolin e saj të përcaktuar në këtë skenar, të ngjashëm me shumëçka me atë të Krimesë, ku si Kryetari  Tomisllav Nikolić, ashtu dhe Kryeministri Aleksandar Vučić, janë deklaruar para medieve, se gjoja  „distancohen“ nga synimet e mikut të tyre shpirtëror, Milorad Dodik. Është me interes të theksohet ngjashmëria e sjelljes, jo vetëm e shtetarëve serbiajan, por edhe e mujsharëve ndërkombëtar karshi „distancimeve“ të Slobodan Milošević-it, ndaj  Milan Martić, Radovan Karadžić…para se të fillonte kasaphana në Kroaci dhe Bosnje;

Së dyti, mund të besohet me bazë se është bërë ndonjë pazarllëk i mujsharëve ndërkombëtar me Serbinë, me shpresë infantile, se duke i lejuar asaj, tani të aneksoj Republika srbska dhe nesër Zajednicën në Kosovë, helbete do ta shkëpusin nga prehri i ngrohtë i Rusisë.

Së treti, nënbishtet e tyre te verbëruar nga miopia politike shpresojnë së koti, se mos këtë problem do ta zgjedh Bashkësia Ndërkombëtare. Por, sipas të gjitha gjasave, ata harrojnë, pse jo edhe qëllimshëm, se Bashkësia Ndërkombëtare nuk është dëshmuar, apo as që ka dashtë të dëshmohet, se është e zonja të zgjedh as edhe një nga problemet e shkaktuara nga konfliktet e përgjakshme në Botë, jo edhe pa fajin e saj,  siç janë p.sh. konflikti ndërmjet dy shteteve koreane, problemi palestinez, situata e pasigurisë në Afganistan, lufta në Irak, në Siri, në Liban, në Libi, në Jemen…etj., nga ku rrjedhin lumenj gjaku nga palët ndërluftuese dhe lotësh nga popullata e pambrojtur dhe e pafajshme civile. Po të ishte ndryshe, nuk do të ndodhte masakra e boshnjakëve të Srebrenicës, në korrikun e vitit 1995, para hundëve të „paqeruajtësve“ të SFOR-t holandez, apo nuk do të ndodhte spastrimi i pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës nga shqiptarët, në  natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, që kryen falangat serbo-çetnike  „Rojet e Urës“, para hundëve të KFOR-it francez dhe policisë unmikistaneze…

Në vend të përfundimit të këtij opinioni, po i jap vetës të drejtën të shpreh drojën time: Nuk është larg mëndsh të pritet që pas këtij “distancomi” Serbia të shpërblehet me diçka ngjashëm, siç ishte Marrëveshja e Daytonit, ku pas gjenocidit ndaj kroatëve dhe sidomos ndaj boshnjakëve t; i dhurohej 49% e territorit, sa dyfishi i popullatës serbe në Bosnjës dhe Hercegovinë, apo siç ishin Marrëveshjet e Rambujesë, e Kumanovës dhe ajo e Konçulit, si dhe Plani i Ahtisarit, të gjitha këto të favorshme për Serbinë dhe shumë të dëmshme për shqiptarët, denigruese dhe ofenduese për luftën kundër-pushtuese të UÇK dhe UÇPBM, për dëshmorët, invalidët e luftës, viktimat civile, fëmijët e masakruar, gratë e përdhunuara…!

Prishtinë

14 shtator 2016

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …