Ka ditë kur malli bëhet më i rëndë se zakonisht. Ditë kur shkoj te varri i babit dhe zemra më mbushet me një trishtim që nuk di ta fsheh. Megjithatë, mes këtij malli, ruaj një kujtim të freskët, sikur të kishte ndodhur dje.
Ishte një ditë pranvere, para dy javësh. Si gjithmonë, me vëllezërit e motrat vendosëm të shkonim në Krojmirë. Aty ku dikur gjithçka dukej më e plotë, sepse ishte edhe babi. Ndërsa merreshim me punët e zakonshme, më dukej sikur babi do të dilte nga oda, me tranzistorin në dorë, duke dëgjuar radion, dhe do të na shikonte me atë qetësinë e tij të dashur.
Ai gjithmonë gëzohej kur na shihte duke punuar. Gëzohej me ne, me nipërit e mbesat. Dhe atëherë më lindi një pyetje e rëndë: pse tani, o Zot? Pse pikërisht tani, kur kishim më shumë se kurrë nevojë ta shijonim praninë e tij, ta jetonim pleqërinë e tij pranë nesh? Sepse në rini na kishte munguar shumë.
Atë mëngjes, kur u nisa drejt varrit, kisha brenda vetes një mllef të heshtur. Një inat që nuk drejtohej askund, veçse ndaj mungesës së tij. Por sapo u afrova, pashë pranverën që kishte lulëzuar gjithandej. Drita, ngjyrat, jeta, të gjitha shkëlqenin pranë atij vendi ku ai pushon.
Varri ishte i mbushur me lule e kurora. Disa prej tyre, ato që kishim vendosur javë më parë, ishin vyshkur. I pashë dhe, në një çast dobësie, u fola: “Turp për ju… si mund të jeni kështu mbi varrin e tij?” Por në heshtje, sikur më erdhi një përgjigje: “Si të qëndrojmë të freskëta, kur edhe ne e ndjejmë mungesën e tij?”
Atëherë kuptova se edhe bukuria e pranverës nuk mund ta mbulojë dhimbjen. Qetësisht largova disa lule dhe u përshëndeta me Babin tim, me kujtimin e tij që jeton në çdo cep të asaj toke.
Nuk shkoj më me të njëjtin gëzim si dikur. Por shkoj, sepse e di sa shumë e donte ai Krojmirin. Dhe çdo pëllëmbë e atij mali, çdo pemë, çdo burim uji, më flet për të. E shoh në çdo gjë: në punën e palodhur, në qetësinë, në dashurinë e heshtur.
Ka kujtime që nuk vyshken kurrë. Ato jetojnë brenda nesh, si një pranverë që nuk mbaron…
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
