9 Maji i vitit 1945 në historiografinë botërore njihet si dita jo vetëm e kapitullimit, por edhe e fitores së popujve mbi nazi-fashizmin, i cili, si pjella më e egër e oligarkisë së borgjezisë financiare, kishte përfshirë një sërë vendesh të Evropës, por që më së shumti u manifestua në Gjermaninë e Hitlerit dhe Italinë e Musolinit.
Lufta e Dytë Botërore filloi në shtator të vitit 1939, me pushtimin e Polonisë, por në fakt ajo ishte edhe një sinjal alarmi për gjithë popujt evropianë se një mortajë e zezë kishte lindur si një fatkeqësi e madhe dhe kërcënuese, jo vetëm në aspektin kombëtar, por edhe kontinental. Disa vende të Evropës, si Anglia, Franca e ndonjë tjetër, e nënvlerësuan këtë rrezik dhe shpresuan ta parandalonin Hitlerin përmes takimeve dhe negociatave. Por nazi-fashizmi as që donte t’ia dinte; përkundrazi, ishte në kulmin e epërsisë së tij dhe synonte vendosjen e një “rendi të ri botëror”, sipas doktrinës së shkruar nga Hitleri në librin e tij “Mein Kampf” (“Lufta ime”).
Për më shumë se pesë vjet luftë, bisha naziste, me barbarizmat e saj të pashembullta, gjatë pushtimeve të armatosura dhe me egërsinë shtazarake që e karakterizonte — deri te djegia për së gjalli e njerëzve në furrat e krematoriumeve — e çoi botën në kufijtë e një katastrofe përtej çdo përfytyrimi, siç nuk ishte parë që nga lashtësia.
U vranë më shumë se 60 deri në 70 milionë njerëz gjatë gjithë periudhës së luftës, në të gjitha vendet ku shkeli çizmja pushtuese. Për ëndrrat e çmendura të Hitlerit dhe “Rajhut të Tretë”, u vranë edhe mbi 6.5 milionë gjermanë, por viktimat më të mëdha i pati populli heroik rus dhe Ushtria e Kuqe, me një bilanc tragjik prej rreth 28 milionë njerëzish, nga të cilët 8 milionë ushtarë dhe 19 milionë civilë.
Ja pse thirrja e Aleatëve të Mëdhenj kërkonte unifikimin dhe mobilizimin e të gjitha forcave, pa dallim feje, krahine apo ideje, në një luftë të përbashkët kundër një prej armiqve më të egër dhe më të rrezikshëm të njerëzimit.
Kjo parullë u bë realitet edhe në vendin tonë, falë vetëdijes dhe shkallës së lartë të ndërgjegjes së popullit shqiptar. Ishte një veprim me përmasa të jashtëzakonshme, që edhe sot na bën krenarë për baballarët tanë. Meritën kryesore e pati populli, që nxori nga gjiri i vet atdhetarët më të mëdhenj, të cilët u radhitën në formacionet partizane. Ky akt madhor na radhiti në podiumin botëror të nderit, ku lufta jonë kundër armikut u zhvillua nën drejtimin e PKSH-së, Shtabit të Përgjithshëm të Luftës dhe komandantit Enver Hoxha.
Lufta jonë Nacionalçlirimtare u njoh edhe nga fuqitë e mëdha. Në radiogramet e përfaqësuesve si Molotov, Eden dhe Hill, që në vitin 1942, populli shqiptar dhe udhëheqësit e kësaj lufte përgëzoheshin, duke u vlerësuar si pjesë përbërëse e koalicionit të madh antifashist.
Le të çirren sot kukuvajkat ballisto-zogiste, madje edhe ballistët e rinj të tipit Berisha, Rama apo Murrizi, që nuk dinë të bëjnë as llogari e as të lexojnë historinë. Mirë që nuk u referohen arkivave tona, por nuk lexojnë as dokumentet e aleatëve të tyre.
9 Maji mbetet një datë historike, sepse popujt e botës kuptuan se, me mobilizim të përgjithshëm, mund të mposhtet çdo armik, sado i fortë dhe i egër të jetë. Historia i ka dënuar të gjithë pushtuesit të humbasin, herët a vonë.
Në mesnatën e kësaj date, gjenerali gjerman Wilhelm Keitel, i turpëruar përballë marshalit legjendar Georgi Zhukov, përfaqësues i Ushtrisë Sovjetike dhe i Stalinit, nënshkroi aktin e kapitullimit pa kushte. Ky akt nuk ishte vetëm një fitore për popullin sovjetik, që mbajti barrën kryesore të luftës, por një fitore për të gjithë popujt liridashës dhe paqedashës të Evropës dhe të botës.
Sot, në Shqipëri, disa pasardhës të atyre që dikur bashkëpunuan me pushtuesit, vazhdojnë të kakarisin si dikur kukuvajkat që lëpinin çizmen pushtuese, me sloganin e pështirë: “Historia na dha të drejtë.”
Çfarë të drejte u dha historia bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe nazizmit? Nëse pretendojnë kështu, përse vetë deklarojnë se bashkëpunuan dhe nuk i luftuan pushtuesit?
Shumë bashkëpunëtorë të armikut dolën nga radhët e ballistëve dhe legalistëve. Këto nuk janë trillime të komunistëve, por dokumente të vetë pushtuesve. Qeveritë kukulla dhe kolaboracioniste me nazi-fashizmin, ku kishte edhe simpatizantë të Ballit, e çuan vendin deri aty sa sot është vështirë të dallosh kush ishte fashist i mirëfilltë dhe kush kolaboracionist, sepse dallimet mes tyre ishin minimale.
Po sot?
Sot jemi mbushur me “ballistë të rinj”, që nuk mbajnë më qylafë me zhgabë, por kollare shumëngjyrëshe, e që ulen në gjunjë para çdo të huaji, duke harruar dinjitetin kombëtar. Disa të tjerë, me mendësi autoritare e të verbër, kanë sjellë vuajtje të mëdha për popullin, duke e detyruar të marrë rrugët e mërgimit, duke përgjakur rrugët tona dhe duke ngritur dolli mbi tragjedi si Gërdeci.
Këta njerëz e kanë kthyer Shqipërinë në një “Gërdec të dytë”, duke tallur, poshtëruar dhe përdorur popullin për interesat e tyre, ndërsa brohorasin “Rroftë demokracia!”. Janë po ata që dikur, para se të thërrisnin “Poshtë komunizmi!”, i thurnin himne socializmit dhe e nisnin çdo mbledhje me fjalët: “Ashtu siç na ka mësuar Partia dhe shoku Enver…”
Këta janë, në të vërtetë, bashkëpunëtorët më të rrezikshëm të çdo armiku të Shqipërisë dhe të popujve që luftojnë për liri e pavarësi. Në situata të caktuara, ata mbajnë anën e agresorëve dhe jo të popujve.
Ata as nuk e festojnë dhe as nuk e përkujtojnë Ditën e Fitores mbi Fashizmin. Dhe kjo është logjike, sepse shpirtërisht ndihen të lidhur me të.
Lavdi 9 Majit, ditës së mposhtjes dhe fitores mbi fashizmin!
Lavdi partizanëve tanë legjendarë dhe komandantit Enver Hoxha, që na radhitën në podiumin e nderit të popujve që luftuan nazi-fashizmin!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
