Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje për unitet dhe mobilizim në prag të procesit zgjedhor, duke kërkuar nga qytetarët dhe bashkëluftëtarët që të ruajnë bashkimin dhe vlerat për të cilat është luftuar gjatë luftës çlirimtare. Përmes një reagimi publik, OVL e UÇK-së ka theksuar se në kohët më të vështira, bashkimi ishte arma më e fuqishme që kishte populli shqiptar për të arritur lirinë dhe çlirimin e vendit. “Sot, më shumë se kurrë, na duhet ai bashkim dhe ajo energji që dikur e bënë të mundur të pamundurën”, thuhet në reagim. Organizata u është drejtuar veçanërisht qytetarëve që, sipas saj, i kanë qëndruar besnikë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëluftëtarëve, duke kërkuar që të refuzohen përpjekjet për përçarje dhe ndasi. OVL e UÇK-së ka vlerësuar se përgjegjësia kombëtare duhet të mbizotërojë mbi interesat personale, ndërsa ka theksuar se shteti i ndërtuar mbi sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve duhet të mbrohet nga ata që kontribuuan në çlirimin e tij.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
