Drejtori ekzekutiv i Asociacioni i Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka ngritur alarmin për gjendjen financiare të komunave në Kosova, duke thënë se ato po përballen me mungesë të theksuar fondesh dhe pamundësi për realizimin e projekteve kapitale. Ibrahimi deklaroi se në Kosovë nuk ekziston një strategji kombëtare për zhvillim ekonomik lokal, ndërsa komunat po përballen me pengesa të shumta financiare dhe institucionale. Sipas tij, një nga goditjet më të mëdha për komunat kanë qenë pagesat milionëshe ndaj përmbaruesve privatë, të cilat, siç tha ai, janë marrë kryesisht nga fondet e investimeve kapitale. “Përveç miliona eurove që iu janë marrë komunave nga përmbaruesit privatë për shkak të moszbatimit të kontratës kolektive, sivjet mbi 15 milionë euro do t’u merren komunave për moszbatimin e vendimit gjyqësor për përvojën e punës”, tha Ibrahimi. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe komunave, duke theksuar se nuk ka projekte zhvillimore që do t’i mbështesnin komunat dhe as politika fiskale që do të stimulonin investimet private. “Komunat janë në një gjendje kolapsi dhe pamundësie për të realizuar projekte kapitale”, deklaroi ai. Ibrahimi shtoi se komunat kanë kompetenca për ndërtimin e rrugëve lokale, ujësjellësit dhe kanalizimeve, por mungesa e mjeteve financiare po ua pamundëson realizimin e këtyre projekteve dhe ndikimin në zhvillimin ekonomik lokal.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
