Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të PZAP-së për moslejimin e mbajtjes së tubimit elektoral në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke i dhënë të drejtë PDK-së që e kishte rezervuar më herët hapësirën publike. Sipas vendimit, PDK-ja kishte dorëzuar kërkesën për organizimin e tubimit më 30 prill 2026, ndërsa LVV-ja vetëm më 8 maj, për të njëjtën datë dhe lokacion. Supreme vlerësoi se Komisioni Komunal i Zgjedhjeve kishte vepruar në përputhje me rregulloren zgjedhore, e cila parasheh se një kërkesë mund të refuzohet kur hapësira është rezervuar paraprakisht nga një subjekt tjetër politik. Me këtë vendim, bie poshtë edhe pretendimi i LVV-së se PZAP-ja nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm ligjor. Gjykata konstatoi se vendimi ishte i bazuar në dispozitat përkatëse dhe nuk përmbante shkelje procedurale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
