AIP u bën thirrje partive politike: Respektoni privatësinë e qytetarëve në fushatë zgjedhore

Katër ditë para zgjedhjeve nacionale të 7 qershorit, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka ripërsëritur thirrjen drejtuar partive dhe subjekteve politike për respektimin e plotë të privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore. AIP ka kërkuar që çdo përpunim i të dhënave personale të bëhet vetëm mbi bazë ligjore, përfshirë pëlqimin e qytetarëve ose baza të tjera të përcaktuara me ligj, duke theksuar se informacionet e mbledhura në funksione publike nuk duhet të përdoren për marketing politik. Po ashtu, agjencia ka apeluar që të mos bëhet ekspozimi i të dhënave personale përmes e-mail-it, mesazheve SMS apo thirrjeve telefonike pa pëlqimin paraprak të qytetarëve, si dhe të respektohet e drejta e tyre për të kundërshtuar përdorimin e të dhënave në çdo kohë. Në thirrjen e saj, AIP ka kërkuar gjithashtu që të shmanget çdo formë e profilizimit apo përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe e justifikuar. “Agjencia kërkon nga partitë dhe subjektet politike të sigurojnë mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës në përputhje me kërkesat ligjore”, thuhet në njoftimin e AIP. Agjencia ka theksuar se respektimi i privatësisë së qytetarëve është një element kyç i një procesi zgjedhor të drejtë dhe transparent.

Kontrolloni gjithashtu

Rritet ndjeshëm numri i institucioneve dhe agjencive të pavarura që po përballen me mungesë të anëtarëve

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj ka shfaqur shqetësimin e tij për …