Apeli kthen në rigjykim rastin e masakrës në Mejë, kërkohen shkelje procedurale në gjykimin në mungesë

Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj 53 të akuzuarve për masakrën në Mejë dhe fshatrat tjera të Gjakovës, ku gjatë luftës ishin vrarë rreth 370 civilë. Sipas vendimit të Apelit të datës 25 maj 2026, çështja kthehet në rigjykim, pasi janë konstatuar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, veçanërisht në lidhje me zhvillimin e gjykimit në mungesë të të akuzuarve. Gjykata ka vlerësuar se nuk janë bërë përpjekje të mjaftueshme dhe të dokumentuara për njoftimin e të akuzuarve, përfshirë mungesën e provave mbi publikimin e ftesave dhe aktakuzës në platformat zyrtare dhe gazetën zyrtare, siç kërkohet me ligj. Në vendim theksohet se vetëm përpilimi i ftesës për seancë nuk përbën provë të mjaftueshme për të konstatuar se janë ndërmarrë “përpjekje të arsyeshme” për sigurimin e pranisë së të akuzuarve në proces. Apeli ka sqaruar gjithashtu standardet ligjore për gjykimin në mungesë, duke theksuar se duhet të përmbushen disa kushte strikte, përfshirë fushata informuese dhe publikime zyrtare, veçanërisht në rastet e krimeve të luftës kundër popullsisë civile. Në rigjykim, Gjykata Themelore udhëzohet të caktojë sërish shqyrtimin fillestar dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për të siguruar respektimin e standardeve ligjore dhe kushtetuese, përfshirë edhe njoftimin publik dhe bashkëpunimin me Policinë e Kosovës për lokalizimin e të akuzuarve.

Kontrolloni gjithashtu

Rritet ndjeshëm numri i institucioneve dhe agjencive të pavarura që po përballen me mungesë të anëtarëve

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj ka shfaqur shqetësimin e tij për …