Parlamenti Evropian pritet të votojë sot në Komisionin për Punë të Jashtme raportin për Kosovën, i cili përçon një mesazh të fuqishëm mbështetjeje për integrimin evropian të vendit dhe përsërit thirrjen që pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë pa vonesë. Raporti i përgatitur nga eurodeputeti estonez Riho Terras mbështet qartë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe u kërkon institucioneve evropiane të përshpejtojnë procedurat për shqyrtimin e këtij aplikimi, përfshirë përgatitjen e pyetësorit dhe dhënien e një vlerësimi të bazuar në meritë. Dokumenti vlerëson se zgjedhjet e vitit 2025 janë zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe demokratike, ndërsa mirëpret formimin e institucioneve paszgjedhore. Megjithatë, raporti shpreh shqetësim për tensionet politike, polarizimin e skenës politike dhe mungesën e konsensusit në procese të rëndësishme shtetërore. Një pjesë e rëndësishme e raportit lidhet me pasojat që mund të ketë ngërçi politik në raport me fondet evropiane. Eurodeputetët paralajmërojnë se Kosova rrezikon të humbasë mjete të konsiderueshme financiare nga Plani i Rritjes së BE-së nëse nuk arrin t’i përmbushë obligimet dhe kriteret e kërkuara brenda afateve të përcaktuara.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
