Rexh Byberi: “Kohë pa Etos”, vepra më e re e Besim Baraliut, u promovua në Tropojë

Në Muzeun Historik të Tropojës, me organizimin e Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, u promovua libri më i ri i profesorit Besim Baraliu nga Kosova, “Kohë pa Etos”, një vepër e rëndësishme në fushën e mendimit politik dhe publicistikës shqiptare.
Libri përmbledh 21 ese dhe reflektime me frymë kritike mbi realitetin politik shqiptar, me fokus të veçantë zhvillimet politike në Kosovën e periudhës pas çlirimit.
Ky aktivitet u organizua edhe në nderim të 90-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, simbolit të rezistencës kombëtare shqiptare dhe një prej figurave më të shquara të historisë sonë bashkëkohore.
Para promovimit pata kënaqësinë të pres në një takim autorin dhe grupin e krijuesve që e shoqëronin, së bashku me stafin tim. Gjatë bisedës shkëmbyem mendime mbi artin, kulturën dhe rolin e intelektualëve në zhvillimet sociale e politike të kohës sonë.
Një mirëseardhje të veçantë i rezervuam mikut tim, Ymer Lladrovci, personalitet i njohur i publicistikës dhe diplomacisë shqiptare. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar përmes veprimtarisë së tij analitike dhe diplomatike, duke përfaqësuar Republikën e Kosovës në detyra të rëndësishme konsullore në Stuttgart dhe Vjenë.
Promovimi mblodhi një numër të madh qytetarësh, të cilët ndoqën me interes diskutimet mbi temat e trajtuara në libër, shkëmbyen mendime rreth sfidave të aktualitetit dhe patën mundësinë të siguronin kopje të firmosura nga autori.
Muzeu Historik i Tropojës, tashmë i rikonstruktuar dhe i pasuruar me hapësira të reja funksionale, po shndërrohet çdo javë në një qendër të rëndësishme aktivitetesh kulturore, artistike dhe shkencore. Këto veprimtari po tërheqin të rinj, studiues, turistë dhe vizitorë nga vende të ndryshme, të interesuar për historinë, kulturën dhe traditat tona etnografike.
Mirënjohje për organizatorët, pjesëmarrësit dhe të gjithë ata që kontribuojnë në gjallërimin e jetës kulturore të Tropojës.

Kontrolloni gjithashtu

Arbana Qeriqi: Kur fëmijët bëhen instrument i fushatës

Ka momente në jetën politike të një vendi kur nuk është më çështja se kush …