Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka nisur procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Në një konferencë për media, Elezi tha se numërimi po zhvillohet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, me dy orare pune dhe me angazhimin e mbi 2,200 anëtarëve të ekipeve të numërimit. Ai shtoi se rezultatet përfundimtare pritet të shpallen më 26 qershor, nëse nuk paraqiten ankesa, ndërsa certifikimi i rezultateve zgjedhore parashihet të bëhet deri më 6 korrik. Sipas tij, deri tani është përmbyllur numërimi i votave të subjekteve politike në 2,498 vendvotime, ndërsa materialet zgjedhore nga 949 qendra votimi janë dërguar në QKN për procesim të mëtejshëm. Elezi sqaroi se numërimi i votave të kandidatëve bëhet në QKN, ndërsa aty bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e vendvotimeve. Sa i përket votimit nga diaspora, Elezi tha se në 30 përfaqësi diplomatike kanë votuar 22,414 qytetarë nga 27,724 të regjistruar, që përbën pjesëmarrje prej 80.85%. Ai shtoi se për votimin përmes postës, nga 104,480 votues të regjistruar, ende nuk ka të dhëna përfundimtare për pakot me fletëvotime, pasi procesi i tërheqjes nga kutitë postare është ende në zhvillim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
