Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka uruar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Palatova ka përgëzuar gjithashtu edhe subjektet e tjera politike për rezultatet e tyre, duke theksuar nevojën për bashkëpunim politik dhe formimin e institucioneve të qëndrueshme. “Përgëzime për Albin Kurtin për fitoren zgjedhore dhe për të gjitha partitë për rezultatet e tyre! Është koha për kompromis dhe për të formuar institucione të qëndrueshme, për të vënë në plan të parë interesin e integrimit evropian të Kosovës dhe për të ofruar rezultate për qytetarët e saj”, ka shkruar Palatova. Mesazhi i saj vjen në kohën kur vendi po pret përmbylljen e procesit zgjedhor dhe nisjen e konsultimeve për formimin e institucioneve të reja, ndërsa partnerët evropianë po bëjnë thirrje për stabilitet politik, dialog dhe përparim në rrugën e integrimit evropian të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
