Në Rahovec u mbajt mbledhja e dytë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), nën kryesimin e Kryetarit të Komunës z. Smajl Latifi.
Të pranishëm ishin: anëtarët e KKSB-së, nënkryetari i komunës, zyrtarët komunalë, përfaqësuesit e KFOR-it dhe të OSBE-së, si dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Në fjalën e tij hyrëse, kryetari Latifi përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se, bazuar në të dhënat dhe raportet zyrtare, situata e përgjithshme e sigurisë në komunën e Rahovecit është stabile dhe e qetë, pa ndryshime të theksuara krahasuar me periudhën nga mbledhja e fundit e KKSB-së.
Në këtë mbledhje u diskutua për:
Vlerësimi i përgjithshëm i gjendjes së sigurisë në territorin e komunës së Rahovecit,
Siguria në trafik;
Identifikimi i çështjeve problematike që ndikojnë në sigurinë publike ndëretnike,
Prishja e rendit dhe e qetësisë publike nga lokalet e natës dhe personat e papërgjegjshëm.
Plani operativ për sezonin e pushimeve të mërgimtarëve dhe të dasmave.
Vendosja dhe funksionalizimi i kamerave shtesë të sigurisë në hapësirat publike në rrugët kryesore;
Diskutim për aktivitetet e organizuara nga Drejtoria për Arsim për maturantet.
Parapërgatitja dhe vetëdijesimi i qytetarëve për mbrojtje nga zjarri gjatë sezonit veror.
Trajtimi i objekteve të braktisura dhe objekteve të vjetra, jo të sigurta;
Mbrojtja e ambientit në komunën e Rahovecit.
Siguria dhe kontrolli i produkteve ushqimore.
Komandanti i Stacionit Policor në Rahovec, z. Fazli Morina, prezantoi raportin me statistika të detajuara për gjendjen e sigurisë në territorin e komunës, të dhëna këto, të cilat mund t’i lexoni në procesverbalin zyrtar të mbledhjes.
Në përfundim, kryetari falënderoi të gjithë për angazhimin dhe bashkëpunimin, me mirënjohje të veçantë për policinë dhe për pjesëtarët e FSK-së, për kontributin e tyre në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.
Siguria është përgjegjësi e përbashkët, bashkë për një Rahovec më të sigurt!