Deklaratat e fundit të përfaqësuesve qeveritarë se “nuk mjafton një vit për ndryshimet kushtetuese” janë dëshmi e mungesës së vullnetit politik dhe e dështimit të kësaj qeverie për ta çuar vendin drejt integrimit europian dhe për të respektuar vetë Marrëveshjen e Ohrit. Prej ditës së parë të mandatit, përveç bllokimit të perspektivës evropiane, kjo qeveri dhe partnerët e saj kanë sulmuar themelet e barazisë dhe të Marrëveshjes së Ohrit: • kanë shfuqizuar balancuesin, duke cenuar përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera; • kanë zhvlerësuar Marrëveshjen e Ohrit duke ia dorëzuar implementimin figurave me bindje antishqiptare dhe antiperëndimore, si Ivan Stoillkoviç; • kanë fshirë diasporën nga përfaqësimi politik dhe kanë zvogëluar shqiptarët në përllogaritjet zyrtare; • nuk respektojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe kanë zhvlerësuar Inspektoratin e gjuhëve dhe Agjencinë e gjuhëve. Sot, përveç dështimit me ndryshimet kushtetuese, kjo qeveri hap fronte të reja kundër mekanizmave të barazisë si shumica e Badenterit, një nga shtyllat më të forta kushtetuese që garanton stabilitetin ndëretnik, barazinë reale në vend dhe mbron nga majorizimi. Çdo tentativë për ta relativizuar ose rishikuar Badenterin është tentativë për ta kthyer shtetin pas në përjashtim dhe diskriminim. Jemi dëshmitarë se gjithnjë e më shumë po zënë vend ide të rrezikshme, që përfaqësojnë ata që besojnë se shtetet multietnike nuk funksionojnë dhe se duhet ndërtuar shtete etnike. Kjo qasje manifestohet në dy drejtime: përmes goditjeve të Marrëveshjes së Ohrit, që rrënojnë barazinë e brendshme, dhe përmes bllokimit të rrugës europiane, që e izolon vendin dhe e kthen mbrapa. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet forca politike që ka mbrojtur dhe do të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, kursin euroatlantik të vendit dhe dinjitetin e qytetarëve. Shqiptarët nuk do të lejojnë kthimin e shtetit në padrejtësi dhe përjashtim. Tetori është afër dhe populli do të flasë fuqishëm. Ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron. Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet, barazia nuk negociohet.

BDI: Adnan Azizi u kap në gënjeshtër – statistikat zyrtare e rrëzojnë propagandën e VLEN-it

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ndaj deklaratës së deputetit të VLEN-it, Adnan Azizi, i cili në emisionin “Click Plus” në TV21 tentoi të mashtrojë opinionin publik duke pretenduar se mekanizmi i balancuesit ka shkaktuar “rënie drastike” të përfaqësimit të shqiptarëve në administratë.
Kjo nuk është vetëm deklaratë e pavërtetë. Kjo është gënjeshtër publike, manipulim i qëllimshëm dhe përpjekje e dëshpëruar për ta arsyetuar politikisht shkatërrimin e mekanizmave që për vite me radhë kanë garantuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Faktet zyrtare janë të qarta dhe nuk lënë hapësirë për manipulim.
Sipas raporteve zyrtare të Avokatit të Popullit, përfaqësimi i shqiptarëve në administratë nga viti 2015 deri në vitin 2023 është rritur nga 18.8% në 21.7%.
Pra, nuk ka rënie. Ka rritje.
Edhe më skandaloze është se Azizi flet për “rënie prej 1.6 apo 1.8”, ndërsa tabelat zyrtare tregojnë të kundërtën: vetëm nga viti 2020 deri në vitin 2023, përfaqësimi i shqiptarëve është rritur nga 20.1% në 21.7%, pra pikërisht 1.6 pikë përqindjeje rritje, jo rënie.
Ky është efekti i Balancuesit!
Ky është dallimi mes fakteve dhe propagandës.
Ky është dallimi mes numrave zyrtarë dhe gënjeshtrës televizive.
BDI nuk ka votuar mekanizëm joefikas. BDI ka ndërtuar mekanizëm që solli rritje të matshme të përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore. Jo me fjalë boshe, jo me deklarata për kamera, por me rezultate konkrete, të konfirmuara nga institucionet zyrtare.
E vërteta është se VLEN sot po mundohet ta shpallë të dështuar balancuesin vetëm për ta mbuluar paaftësinë, nënshtrimin dhe kapitullimin e vet politik para VMRO-DPMNE-së.
Ata që sot propozojnë ligj pa mekanizëm detyrues, pa përllogaritës të qartë, pa garanci ligjore dhe pa sanksione për mospërfaqësim, nuk kanë as të drejtë politike dhe as të drejtë morale të flasin për përfaqësimin e shqiptarëve.
Ata që po e dorëzojnë përfaqësimin e shqiptarëve në vullnetin politik të VMRO-DPMNE-së, nuk mund t’i mbajnë leksione BDI-së për barazi.
Adnan Azizi duhet të kërkojë falje publike për këtë manipulim.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për deputetë që gënjejnë me statistika për ta arsyetuar dështimin e tyre. Shqiptarët kanë nevojë për mekanizma të vërtetë ligjorë, për garanci institucionale dhe për përfaqësim real, jo për propagandë të VLEN-it në shërbim të politikave që e kthejnë barazinë 20 vite pas.
Gënjeshtra mund të zgjasë disa minuta në studio televizive, por përplaset menjëherë me faktet.
Dhe kur propaganda përplaset me numrat zyrtarë, përfundimi është i qartë: NISHTO!
BDI do të vazhdojë ta mbrojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat si një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit dhe të barazisë institucionale në vend.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: ZGJEDHJET NUK PO NA SJELLIN ZGJIDHJE!

Shkak janë ligji zgjedhor, Kushtetuta dhe, mbi të gjitha, fakti se palët janë betonuar në …