Në një video të publikuar në “Facebook”, Hoxhaj ka thënë se po shfaqen dy çështje që, sipas tij, tregojnë se çfarë Kosove do të ketë vendi në periudhën e ardhshme paszgjedhore.
Duke folur për projektin e gazit amerikan, ai theksoi se bëhet fjalë për një projekt strategjik me rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën dhe rajonin.
“Një projekt i tillë do ta ridefinojë rolin e Amerikës në Ballkan dhe marrëdhënien e saj me Kosovën. Ky raport duket që është në krizë sepse Qeveria e Kosovës veçse e ka refuzuar një projekt të tillë”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij, rëndësia e këtij projekti tejkalon edhe objektiva të tjera strategjike të vendit.
“Ky projekt ka më shumë përparësi sesa vetë anëtarësimi i Kosovës në NATO apo promovimi i demokracisë, dhe ne mund të arrijmë deri te NATO pikërisht përmes një projekti të tillë”, ka thënë ai.
Më tutje, Hoxhaj ka ngritur shqetësime edhe për zhvillimet në Komisionin e Pavarur të Mediave, duke e lidhur këtë me nivelin e demokracisë në vend.
“Çështja e debatit publik në Komisionin e Pavarur të Mediave, ku mediat e pavarura po kërcënohen nga ky komision, tregon për nivelin e demokracisë”, ka thënë ai.
Në fund, Hoxhaj u ka bërë thirrje partive opozitare dhe deputetëve që do të dalin nga këto zgjedhje të mbajnë një qëndrim të qartë në mbrojtje të demokracisë dhe aleancave strategjike të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
