Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj paralajmëron për rrezikun që i kanoset Kosovës pas zgjedhjeve

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka ngritur shqetësime për drejtimin që mund të marrë Kosova pas zgjedhjeve, duke veçuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjendjen e demokracisë në vend.

Në një video të publikuar në “Facebook”, Hoxhaj ka thënë se po shfaqen dy çështje që, sipas tij, tregojnë se çfarë Kosove do të ketë vendi në periudhën e ardhshme paszgjedhore.

Duke folur për projektin e gazit amerikan, ai theksoi se bëhet fjalë për një projekt strategjik me rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën dhe rajonin.

“Një projekt i tillë do ta ridefinojë rolin e Amerikës në Ballkan dhe marrëdhënien e saj me Kosovën. Ky raport duket që është në krizë sepse Qeveria e Kosovës veçse e ka refuzuar një projekt të tillë”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij, rëndësia e këtij projekti tejkalon edhe objektiva të tjera strategjike të vendit.

“Ky projekt ka më shumë përparësi sesa vetë anëtarësimi i Kosovës në NATO apo promovimi i demokracisë, dhe ne mund të arrijmë deri te NATO pikërisht përmes një projekti të tillë”, ka thënë ai.

Më tutje, Hoxhaj ka ngritur shqetësime edhe për zhvillimet në Komisionin e Pavarur të Mediave, duke e lidhur këtë me nivelin e demokracisë në vend.

“Çështja e debatit publik në Komisionin e Pavarur të Mediave, ku mediat e pavarura po kërcënohen nga ky komision, tregon për nivelin e demokracisë”, ka thënë ai.

Në fund, Hoxhaj u ka bërë thirrje partive opozitare dhe deputetëve që do të dalin nga këto zgjedhje të mbajnë një qëndrim të qartë në mbrojtje të demokracisë dhe aleancave strategjike të Kosovës.

 

Kontrolloni gjithashtu

Haradinaj kërkon nga qeveria e ardhshme që “pika e parë” të jetë gazi amerikan dhe termocentrali i ri

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Daut Haradinaj ka deklaruar se kushdo që e …