Një popull pa njohjen e historisë, origjinës dhe kulturës së vet është si një pemë pa rrënjë. (Marcus Garvey)
Ishte zgjuar herët, ende pa lindur dielli. Po të zuri drita e diellin në shtrat, të bëhet sëmundje! Kështu e kishte mësuar gjyshja, ndjesë pastë, që kur ishte kalama. Dhe, ashtu vepronte edhe sot e kësaj dite, si bari delesh. Ndonjëherë, që të mos i trazonte të tjerët, kambanën e madhe të ogiçit bridredhur, e mbushte me gjethe, dhe ia ndalte cingërimën, derisa dilte krye katundi. Në torbën prej leshi, që e quante janxhik, fuste gjysmë bukë misërnike, pak kripë, një copë djathë, një qepë dhe, në skajin e tojës, që shërbente si vegë për ta bartur krahaqafë, lidhte tasin e aluminit, për t’i mjelë delet e për tu rrasur qumësht.
Sot, mbase qe zgjuar edhe më herët se ditëve të tjera. Po, po, ashtu ishte puna. Se ishte më herët, po dihej, sepse, tek kur mbërriti të Llazi i Tahirit e të Rogat e Hasanit, dielli hodhi syrin e zjarrtë mbi majën e Qyqavicës. Cicërima e zogjve, si një kor polifonik, e përcillte me ëmbëlsinë e freskinë e mëngjesit që po agonte. Tufën e deleve, që varg e varg ndiqnin dhiaret dredharake, nuk e ndali deri të Gurreci, vendi i mrekullueshëm e i begatë me të gjitha të mirat. Aty, e shuanin etjen të gjithë: barinjtë, argatët që punonin arat, kalimtarët, bagëtia, shpenia. Besa, në vapë të madhe, edhe pastroheshim krejt, në puset e njëpasnjëshme që i kishin rregulluar përgjatë rrjedhës së tij, deri poshtë tek Ligatina, mbushur ma kallamishte. Pak përmbi të, ishte humusorja, vendi ku nxirrnin humë, një lloj dheu i yndyrshëm, që shkumëzonte dhe përdorej në vend të sapunit. Aty, ore lumë vëllai, vinin e merrnin me thasë, njerëzit e fshatrat përreth dhe e përdornin në shtëpitë e tyre për pastrim.
Gjithë ai guri masiv, që me kohë kishte fituar shenjtërinë e tij, qëndronte disi pezull, as në tokë, as në qiell. Barku i tij, i tëri, kullonte ujë të ftohtë, që të binte në lule të ballit e të kthjelltë bilur. Por, ç’e do të shkretën, kur nuk mund ta shijonim lezetshëm! Për të pirë ujë në pusin që krijohej nga pikat që binin pa pushim, si një shi i qetë, nuk ishte edhe aq lehtë e rehatshëm. Duhej futur trupi nën gurin e madh, i zverdhur nga myshqet, që të kallte datën. Gjunjët duhej vënë në dy rrasa të lëmuara e shuplakat e duarve në dy gurë të rrumbullakët, të rrëshqitshëm si akulli. Buzët dhe gojën duhej futur në ujë, gjithmonë me frikë se do shembej guri…
Kësaj radhe, nuk nxitonte për ta shuar etjen, se ishte herët e ende nuk e kishte kapur etja, por për një punë tjetër. Sot, bëheshin dy javë që kur në baltën e puseve të mëposhtëm kishte futur një tubë lëvoresh të blinit për ta regjur e për të ber bahe. Ah, sa e dhimbshme ishte të shihje nëpër mal drunjtë e rrjepur cullak të blinjve të drejtë si qiri! Ama, kur e shihje çfarë bahesh bëheshin nga blini i regjur, i harroje ato mëkate! Të forta, të përdorshme e të përsosura. Pushkë e shkuar pushke! Me të mund ta hidhje gurin tej e tej, shpat më shpat. Sa e sa herë përpiqeshim t’i qëllonim helikopterët! Bistakët e gjatë në fund të saj, të bëra tufë, kërcisnin sa valteri i gjermanit!
E gjeta!- bërtiti gati me zë, kur duart e futura në baltë deri në bërryla, hasen në lëmshin e butë të lëvores së blinit, që ishte regjur e ishte ber si fije mëndafshi. U gëzua, sepse ishte nisur shpërthyer, pas ëndrrës së mbrëmshme…
– O Shkëmb Lisi, po na sakaton me atë bahe, ore burrë!- i erdhi zëri i ngjizur i Babëlokut, siç e quanin bariun më të vjetër të katundit, emrin e të cilit, rrallëkush e dinte, i cili kishte kaluar të tetëdhjetat dhe nuk u ndahej dhive të tij të kuqe.
-Dreq o punë!- mërmëriti me vete, po ky ishte guri i parë që e hodhi në drejtim të Shpallazit, më shumë për të provuar bahen e posa mbaruar. Nuk besoj që e ka hetuar gurin, se ka rënë shumë larg, por e ka dëgjuar krismën, ia bëri vetës.
– Po ku je, o Babëlok?- i lëshoi në zë, duke e mbështjellë bahen përreth belit.
– Ngjitu më lart, këtu në Livadhin e Kolbibës!
– Erdha, erdha!
– A këtu ke fjetur a?- ia priti plaku si me qesëndi, duke zënë vend mbi disa dushqe të prera rishtas, por, nga rrezet e forta të diellit të korrikut, kishin nisur të merrnin ngjyrë të kuqërremtë.
– Jo Babëlok, por sot jam zgjuar shumë më herët se ditëve të tjera, ngase pashë ëndërr sikur ma kishin gjetur e ma kishin marrë blinin e regjur aty në baltakun e Gurinës.
-Eja këtu, or bir, eja, e mos ju beso ëndrrave, ato të çojnë kahmos e nuk mundesh me u dalë në krye kurrë.
– Veç po i kthej delet këndej, ndoshta mrizojnë pak në brekinë e madhe, e ne po ia krisim muhabetit…
…Këtu ka qenë trualli i të parit tonë, Kolës. E sheh, ende ka gjurmë vendbanimi, përplot copa gurësh e tjegullash, – nisi rrëfimin Babëloku. Unë nuk mbaj mend asgjë, veç sa kam dëgjuar nga babai e gjyshi, të cilit i përcillnin historitë e treguara nga gjyshërit e stërgjyshërit e tyre.
Vërtet, ai vend ngjante në një truall të hershëm, në një lëmë të rrahur, në një ngrehinë buzë përroskës, rrethuar me plepa të egjër, me blinj, me brekia, me dardhë, me kumbulla, me lajthi, me thana, me dëllinja, me shkozë të bardhë…Edhe dheu ishte si më i brishtë. Përskaj rrugës që lidhte udhëkryqin e madh, që të gjithë e quajnë Udhëkrysa dhe shkonte deri poshtë të kalaja e Gjytetit, breshkat lëshonin vezët, të cilat, nga kureshtja, shpesh ne fëmijët i zbulonim dhe i dëmtonim,- u kujtua djaloshi sakaq…
-Po thua se katundi ynë këtu i kishte themelet e para?!- pyeti Shkëmbi, duke i hapur sy e vesh, për të përpirë çdo fjalë e për të kuptuar më mirë.
-Po, pikërisht këtu, ku jemi ulur, ka qenë trualli i Kolë Bibës! Shiko si është vendi i pak si i ngritur, i rrafshët dhe i rrumbullakët, si një sofër e shtruar. Mbaje mend mirë, Galica është një vendbanim shumë i lashtë. Këtë e dëshmojnë edhe toponimet e sotme, si: Livadhi i Kolbibës, Livadhi i Gjeloshit, Vorret e katolikëve, Katuni i moçëm, Arat e Katunit të moçëm, Lugu i Katunit të moçëm, Gurreci, Lugu i Zanave etj.
– E mandej, o Bacaloku ynë?!- nuk i pritej djaloshit, derisa plaku piu një gllënjkë ujë nga paguri, që vazhdimisht e mbarte krahaqafë.
– Epo, më thuaj ku mbeta…Dikur moti, Preka, me dy vëllezër; Obrin e Lutën, e me nip Kolën e ri, djalin e Bibës, i cili kishte ngelur në betejën e Kuçit në Mal të Zi, pasi kishin degdisur gjithandej, erdhën e zunë vend në Drenicë. Një vëlla, që ia paskam harruar emrin, ishte ndalur në Bërnjakë të Kolashinit e shumë anëtarë të tjerë ia kishte ngrënë lufta kundër anadollakëve. Dorën në zemër, siç na thoshin pleqtë, një kohë, Rrafshi i Kosovës ishte i mbytur në ujë dhe njerëzit kishin koptisur maleve e kodrave. Shumë kishin kapërcyer edhe Bjeshkët e Nemuna. Kështu lëvizjet e tyre, bëheshin andej e këndej…Nuk duhet ngulur këmbë në atë se nga erdhëm e nga shkuam, sepse lëvizje të tilla ka pasur e do të këtë gjithmonë…
-Ndoshta të lodha, por si sot po më kujtohen rrëfimet e gjyshit për familjen e madhe të të parëve tanë,- foli plaku i ngazëllyer e i zhytur në rikujtime…
– Të lumtë goja, se më kënaqe,- ia ktheu djaloshi, duke vrapuar për në përrua, që ta merrte tasin me qumësht, të futur në ujë për ta ftohur e për të zënë pakëz mazë.
Plaku, pasi piu qumështin, fshiu buzët me mindilin që mbante në xhepin e jelekut, në të cilin ruante kujdesshëm orën e xhepit Serkisof, lëmoi mustakët e zbardhur dhe ua hodhi një sy dhive që kullotnin atypari, vazhdoi qetë-qetë:
…Kjo derë fisnike karakterizohej për bujari, trimëri dhe mençuri. Edhe pse i kalonte të nëntëdhjetë anëtarët, çdo gjë shkonte për lakmi. Secili i dinte punët dhe detyrat e veta. Të gjithë, burrat, gratë fëmijët punonin ashtu siç thoshte i zoti i shtëpisë. Ai pyetej dhe përgjigjej për çdo gjë. Kjo nuk ishte punë edhe aq e lehtë. Mirëpo baca Prekë, siç e quanin të gjithë, ia dilte mban e për lakmi. E qeveriste mirë e mbarë. Drejtësia dhe korrektësia e ndihmonin. Çdo gjë bëhet mirë kur e qet dorën në zemër,- thoshte ai. Zemra nuk të mashtron kurrë. Me të matet mirësia dhe burrëria. Mos puno më hile, kurrë mos u friko. Ndero që të të nderojnë. Sillu mirë që të të respektojnë. Këto janë rregulla që vlejnë për familje e për shoqëri.
Dhe, vetë i posedonte që të gjitha këto. E nderonin dhe e respektonin kudo, në shtëpi, në dasma, në kuvende e në vdekje gjithmonë në krye të vendit. E meritonte. Ishte i fjalës e i punës. Edhe pse u afrohej të nëntëdhjetave, kurrë s’ndalej. E gjeje kudo. Rregullonte kroje bri rrugëve, shartonte pemë arave e maleve, meremetonte ura e zgjeronte rrugë. Me shembuj e jo me fjalë edukohet brezi i ri,- thoshte dhe, punonte e punonte, pa u ndalur. Kjo e bënte edhe më të dashur e më të nderuar.
Bacën Prekë e gjeje edhe në kuvende burrash. Ishte kokë katërqind dërhemësh, siç i thoshin shkodranët. Fjala e tij peshonte dhe zinte vend në çdo kuvend. Fjala e burrit, pesha e gurit! Ajo nuk duhej të ishte e rrumbullakët, që të rrokullisej e të mos zinte vend askund, por petake e të ngulitej,- këshillonte ai gjatë bisedave. I urrente shumë pleqnitë me gverr, që i bënin disa. Ato sillnin ngatrrës dhe hasmëri të reja. Plagët e popullit duhej shëruar e mbyllur mirë. Pajtonte ngatërresa e gjaqe me drejtësi. Kudo e thërrisnin. Edhe nga larg vinin dhe të gjithë ndaheshin të kënaqur.
Netëve të gjata të dimrit me ëndje rrëfente për ngjarje nga e kaluara jonë historike. Ende e kishte të kthjelltë mbamendjen. Në rini kishte kënduar bukur dhe i kishte rënë lahutës për mrekulli. I njihte fort mirë historinë dhe traditën kombëtare.
Dhe, vitet rridhnin lumë. Familja e tij rritej e zgjerohej. Nga pesha e rëndë, zu të lëkundej. Nuk mbahej dot. U mbush nipa e stërnipa, mbesa e stërmbesa. Bashkëjetonin mbi pesë breza. Plaku vërente çdo gjë. Atij nuk i shpëtonte asgjë pa e parë. Ishte mbushur kupa.
Një ditë i tuboi meshkujt dhe u foli shtruar: “Unë jam plakur dhe jam lodhur. Një këmbë në dhe e një mbi dhe. Sot jam e nesër s’jam. Vdekjes nuk i dihet, e kemi më afër se këmishën veshur. Deri këtu të gjithë na kanë marrë lakmi. Edhe më tutje duhet të jemi shembull për të mirë. Çdo gjë ka kufi. Bleta kur mbushet lëshon. Edhe ne jemi mbushur, duhet të ndahemi. Këtë punë dua ta bëj vetë, sa jam gjallë. Është turp për mua që i kam rregulluar punët e botës t’ju lë ngatërresa. S’kanë thënë kot se pleqnarët u ngjasojnë llambave, që botën e ndriçojnë e veten e lënë në terr. E unë nuk dua të jem i tillë. E di çdo të thotë të shembet një kala, e cila me vite e vite është ngritur. Duhet mjeshtëri e drejtësi se, po nuk dite, rrokulliset tatëpjetë…”.
Foli e foli. Ata e dëgjonin. U vinte rëndë dhe nuk flisnin. Hezitonin, por u bindën. U ndanë mirë e mbarë, ashtu siç edhe patën jetuar. Pa fjalë e pa zhurmë. Vetë, më djemtë, u ndal aty ku ishte, në Prekazin e sotëm. Pranë e ndali njërin nip, nga i cili u formua Tërnafci. Nipi tjetër, i pari ynë, Kola, erdhi e u vendos këtu ku jemi ulur, pranë Gurrecit me ujë të bollshëm, ku zë fill Galica jonë. Ndërkaq dy vëllezërit e tjerë vazhduan më tutje. Obri e kërkonte ujin që buron nga Guri i kuq. Dhe e gjeti në shkrepat e Obrisë së sotme, kurse Luta, që ishte bujk i mirë, u vendos në tokat pjellore të Rrafshit të Dukagjinit dhe e themeloi Lutogllavën e Pejёs.
Baca Prekë, i lumtur dhe i kënaqur, i kaloi ditët e fundit të pleqërisë. Të gjithë i vizitonte me radhë. Hipur në çeze, që e tërhiqnin dy kuaj qimekuq, shëtiste sa andej, sa këndej. Çka shkelte këmba e kalit e ç’i zinte syri, ishin të tijat, të gjakut e të barkut të vet. Zemra i rritej, i bëhej mal.
-O Babëlok, e pse lëvizëm pastaj dhe kaluam matanë kodrave, aty ku jemi sot?- u interesua djaloshi.
-Eh, kjo është histori në vete! E lëmë për herën tjetër, se shkon gjatë muhabeti. Kam më të rrëfyer edhe për Vorret e katolikëve, edhe për Katundin e Moçëm, edhe për Lugun e Zanave, edhe për themelet e kishës, edhe…Po nisemi se na zuri pika e zhegut. Dhitë e dhentë kanë nevojë për të mrizuar e për t’i ushqyer të edhat e qengjat e tyre…
-Pajtohem Babëlok! Historinë e Livadhit të Kolbibës e mësova dhe nuk do ta harroj për jetë të jetëve dhe do ta mbajë vath në vesh, si amanet brezash!
-Sa me gëzim e padurim po e pres takimin tjetër!- ia bëri vetes djaloshi dhe u nis pas tufës së deleve, që nga vapë e madhe kishin futur kokat njëra nën tjetrën, duke lënë prapa re të dendura pluhuri…
Ditë e re, histori e re!
Galicë, qershor 2026
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
