Luka Mishetiç, avokati i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj deklaratës së fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë lidhur me standardet e gjykimit të drejtë, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e mjeteve juridike që, sipas gjykatës, janë në dispozicion të të akuzuarve. Mishetiç ka theksuar se konteksti duhet të merret parasysh kur vlerësohet e drejta për ankim, duke bërë të ditur se në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë paraqitur 37 ankesa të ndërmjetme dhe se secila prej tyre është refuzuar nga Paneli i Apelit. “Të akuzuarit në rastin ‘Thaçi et al.’ kanë iniciuar 37 ankesa të ndërmjetme dhe secila prej tyre është refuzuar nga Paneli i Apelit”, ka shkruar avokati, duke lënë të kuptohet se mekanizmat e ankimimit nuk kanë prodhuar rezultat në favor të mbrojtjes. Reagimi i tij erdhi pak pasi zëdhënësi i Hagës, Michael Doyle, deklaroi se kjo gjykatë garanton standardet ndërkombëtare të një gjykimi të drejtë dhe se të akuzuarit kanë në dispozicion disa mekanizma ligjorë për të kundërshtuar vendimet gjyqësore. Sipas Doyle, gjyqtarët zbatojnë vazhdimisht standardet e përcaktuara nga konventat ndërkombëtare, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa të pandehurit mund t’i drejtohen Panelit të Apelit, Gjykatës Supreme dhe Dhomës së Gjykatës Kushtetuese nëse konsiderojnë se u janë cenuar të drejtat themelore. Ai shtoi se të akuzuarit i kanë shfrytëzuar këto mjete juridike dhe se, në disa raste, kanë arritur sukses në kërkesat e tyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
