Kryeministri i Shqipëria, Edi Rama, pati një debat të fortë me gazetaren e CNN, Eleni Giokos, gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin Botëror Future Investment Initiative (FII), ku u diskutua edhe projekti turistik në Zvërnec dhe reagimet që ai ka shkaktuar. Pasi u pyet për protestat dhe shqetësimet e ngritura nga Komisioni Evropian lidhur me respektimin e standardeve mjedisore, Rama kritikoi CNN-in për mënyrën e raportimit, duke deklaruar se nuk e konsideron rrjetin një burim objektiv për çështjet që lidhen me Shqipërinë. Në përgjigje të pyetjes për protestat, Rama deklaroi se shumica e qytetarëve shqiptarë dhe komuniteti lokal e mbështesin projektin, duke pretenduar se pamja e krijuar në media nuk pasqyron realitetin në terren. Debati u ashpërsua kur kryeministri shqiptar i tha gazetares se CNN-i “ka nevojë për rehabilitim” në raport me Shqipërinë, popullin shqiptar dhe mënyrën e raportimit për projektin. Ai shtoi se në përfundim të investimit do ta ftojë televizionin amerikan në inaugurim, me bindjen se rezultatet do të flasin vetë. Rama mbrojti projektin edhe nga pikëpamja mjedisore, duke deklaruar se ai parashikon shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, pastrimin e ujërave të lagunës dhe përmirësimin e gjendjes ekologjike në zonë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
