Ka ngjarje që nuk i mbulon kurrë pluhuri i kohës. Ato mbeten të gdhendura në kujtesë si plagë të hapura, por edhe si burim krenarie. E tillë ishte për mua ceremonia e 18 gushtit 2026, kur në Qirez u zbuluan shtatoret e heronjve Beqir dhe Rexhep Rexhepi.
Që në çastin kur mora ftesën, mezi prisja të shkoja në vendin ku dy luftëtarët tashmë ishin përjetësuar në bronz, në sheshin e qendrës së Qirezit, jo larg shkollës së fshatit. Por rruga drejt Qirezit nuk ishte vetëm një udhëtim fizik. Ishte një kthim pas në kohë, drejt një prej ditëve më të dhimbshme të jetës sime si gazetar.
Sapo para syve m’u shfaqën fshatrat Likoshan dhe Qirez, kujtesa më ktheu menjëherë në mëngjesin e 1 marsit 1998. Një ditë më parë kishin pushuar armët, pas përleshjeve të përgjakshme ndërmjet njësive të UÇK-së dhe forcave serbe. Nga larg, me dylbi, përcillja një heshtje të rëndë. Nuk dëgjoheshin më krisma, por mbi fshatra rëndonte një shtetrrethim i hekurt. Tanke, autoblinda dhe armë të rënda kishin rrethuar çdo hyrje e dalje.
Vetëm rreth orës 15:15 makineria ushtarake serbe filloi të largohej. Kolona e gjatë u tërhoq duke lënë pas një vijë gjaku në rrugën që të çonte drejt fshatrave.
Vrapova drejt vendit të tragjedisë. Aty takova dhëndrin tim, Naserin, i cili më shoqëroi gjatë gjithë kohës, ndërsa përpiqesha të dokumentoja krimin.
Në lagjen Gjelaj pashë gjurmët e gjakut të Muhamet Gjelajt dhe të birit të tij, Naserit, të vrarë në përballje me forcat serbe. Në shtëpinë e Ahmetëve, që dukej e shkretuar, nga Xhevdeti mësova se disa anëtarë të familjes dhe një mysafir nga Gradica ishin rrëmbyer nga policia serbe.
Në familjen e Sheremet Sejdit pashë katër djemtë e vrarë. Pak më tej, në familjen Rexhepi, ishin të shtrirë Beqiri dhe axha i tij, Rexhepi. Pranë kokës së tyre rrinte Brahim Ajeti Rexhepi.
Ajo që më tronditi më shumë ishte heshtja. Nuk dëgjoheshin vajtime, as britma. Dhimbja ishte aq e madhe, sa ishte shndërruar në një qëndresë të heshtur. Mbeta pa fjalë. Ende sot pyes veten: ku e gjenin gjithë atë forcë ata njerëz për ta mposhtur dhimbjen?
Aty pranë, ish-nxënësi im, Zeqa, m’u afrua dhe më tha me zë të ulët:
“Beqa dhe Rexha janë pjesëtarë të UÇK-së.”
Pasi shpreha ngushëllimet, vazhdova detyrën time si gazetar.
Kur errësira nisi të binte mbi Drenicë, hyra në shtëpinë e familjes Nebihu. Aty gjeta të vrarë mizorisht Rukie Nebihun, gruan shtatzënë, dhe kunatin e saj, Xhemshir Nebihun. Bëra fotografitë, mora shënimet dhe, bashkë me Naserin, u nisa drejt lagjes Ademi, ku më priste shoferi i redaksisë për t’u kthyer në Prishtinë.
Brenda pak orësh, opinioni vendor dhe ai ndërkombëtar morën vesh të vërtetën për masakrën e Likoshanit dhe Qirezit. Fotografitë e asaj tragjedie ia dorëzova edhe përfaqësuesit amerikan Gerald, i cili ndodhej atëherë në Prishtinë. Ndjeva një lehtësim, sepse e vërteta kishte marrë rrugën e saj.
Të gjitha këto kujtime më pushtuan sërish ndërsa qëndroja në ceremoninë e zbulimit të shtatoreve të Beqir dhe Rexhep Rexhepit. Përballë monumenteve madhështore nuk mund ta ndaja të kaluarën nga e tashmja. Në të njëjtin vend ku dikur pashë trupat e tyre të pajetë, tani shihja figurat e tyre të ngritura në bronz, krenare e të pavdekshme.
Në marsin e vitit 1998 lotët më rridhnin nga dhimbja. Më 18 gusht 2026, po ata lot më dolën nga krenaria dhe gëzimi. Ishin lot që dëshmonin se sakrifica nuk ishte harruar, se historia kishte bërë drejtësi dhe se brezat do t’i kujtojnë përherë Beqirin dhe Rexhepin si dy nga bijtë më të denjë të lirisë së Kosovës.
Ato lot i fsheha me kujdes nga të pranishmit. Por brenda vetes e dija se ishin lotët më të sinqertë që mund të derdhë një njeri: lotët e dhimbjes së dikurshme, të shndërruar në lot krenarie.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
