Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka bërë të ditur se pranimi i projektit të gazit amerikan është kusht i panegociueshëm për çdo marrëveshje politike që do të çojë në krijimin e institucioneve të reja të Kosovës. Rukiqi tha se LDK e ka shndërruar këtë çështje në një “vijë të kuqe”, duke e krahasuar me qëndrimin e partisë ndaj bashkëpunimit me Listën Serbe. “Ne e kemi si pozicion zyrtar dhe politik se në çdo lloj marrëveshjeje për krijimin e institucioneve të reja ku përfshihet LDK, kemi një kërkesë të panegociueshme. Ashtu siç kemi vijë të kuqe për Listën Serbe, në anën tjetër vijë e kuqe është çështja e gazit. Kusht i çdo bashkëpunimi institucional është pranimi i gazit amerikan”, deklaroi Rukiqi. Me këtë qëndrim, LDK sinjalizon se projekti i gazit amerikan do të jetë një nga kushtet themelore në negociatat e mundshme për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
