Mazllum Baraliu: Zgjedhja e presidentit duhet të jetë prioritet, dështimi brenda 60 ditësh e çon vendin në zgjedhje të reja

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se pas konstituimit të Kuvendit, prioritet institucional duhet të jetë zgjedhja e presidentit ose presidentes së Kosovës, duke paralajmëruar se mosrespektimi i afatit kushtetues prej 60 ditësh do ta fuste vendin në një cikël të ri zgjedhor. Baraliu tha se Kushtetuta përcakton qartë se mandatin për formimin e Qeverisë e jep presidenti ose presidentja e zgjedhur, e jo ushtruesi i detyrës. Sipas tij, kjo nënkupton se pas certifikimit të rezultateve, verifikimit të mandateve, betimit të deputetëve, konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryetarit të tij, duhet t’i jepet përparësi zgjedhjes së kreut të shtetit. Ai theksoi se Kushtetuta obligon institucionet që presidenti ose presidentja të zgjidhet brenda 60 ditësh nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Sipas Baraliut, në seancën për zgjedhjen e presidentit duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë, të cilët votojnë pro, kundër ose abstenojnë. Profesori paralajmëroi se nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit të përcaktuar kushtetues, vendi do të përballet me një krizë të re institucionale, e cila, sipas tij, do të përfundojë me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe të parakohshme.

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Destabilizimi i Shqipërisë nuk i shërben shqiptarëve, Kosova s’duhet të ndërhyjë në protestat e Tiranës

Publicisti Behxhet Shala ka reaguar lidhur me protestat e vazhdueshme në Tiranë, duke i cilësuar …