Gjykata speciale në Hagë, ka refuzuar kërkesën e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Haxhi Shala, për të udhëtuar në Shqipëri për një pushim të shkurtër familjar gjatë periudhës së lirimit me kusht. Sipas një njoftimi zyrtar, presidentja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, më 23 qershor 2026 e hodhi poshtë kërkesën e Shalës, duke vlerësuar se një udhëtim i tillë nuk është në përputhje me natyrën e dënimit që ai po vazhdon ta vuajë. Në arsyetimin e vendimit thuhet se lirimi me kusht nuk duhet të ndërpritet, përveç rasteve kur ekzistojnë arsye bindëse ligjore ose humanitare, të cilat në këtë rast nuk janë konsideruar të mjaftueshme. Shala, i njohur me nofkën “Topi”, është dënuar në një rast që lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë. Sipas aktakuzës, ai së bashku me Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari akuzohen se kanë organizuar takime me një dëshmitar në përpjekje për të ndikuar në tërheqjen ose ndryshimin e dëshmisë së tij. Vendimi nënkupton se Shala do të vazhdojë t’u përmbahet kushteve të lirimit me kusht në Kosovë deri në përfundimin e periudhës së mbetur të dënimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
