Në vendet me demokraci borgjeze protestat dhe e drejta për të protestuar janë të rregulluara me kushtetutë dhe me ligje. Mund të protestosh natë e ditë, me javë e me muaj deri sa nuk e kërcënon rendin kushtetues, autoritetin shtetëror, pronën, sistemin dhe vlerat e tij, etj.
Vend me demokraci dhe sistem borgjez – kapitalist është edhe shteti ynë kombëtar, Republika e Shqipërisë (një e treta e Shqipërisë). Të mirat-përparësit e tij, ashtu si edhe të këqijat – dobsitë e tij i mban në shpinë populli shqiptar (andej e këndej Drinit).
Duke shfrytëzuar të mirat – përparësitë e këtij sistemi dhe të kësaj demokracie një “komunitet” njerëzish janë ngritur dhe po protestojnë në Kryeqendrën e kombit tonë, në Tiranë. Shkas për të nisur protesta ishte “tërheqja zvarr” e një qytetari në Zvernec! Deri sot nuk u mor vesh kush ishte personi që ishte “tërhequr zvarr” dhe kush ishin ata që e kishin “tërhequr zvarr”!! Nejse. Si shumë çudira tjera edhe kjo u harrua shpejt!
Protesta u zhvendos në Tiranë dhe po organizohet çdo mbrëmje, pothuajse nga të njëjtit njerëz (500 – 2000 veta), në formë shëtitjeje në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Numri i pjesëmarrësve ka rënë shumë këtyre ditëve.
“Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë”, pasi kishte hartuar kërkesat, mori nismën për krijimin e “institucioneve” paralele me ato të shtetit (Kuvendi qytetar, Këshilli ekzekutiv, etj.)!? “Ekzekutivi” i kësaj proteste dje kaloi në veprime konkrete, duke sulmuar fizikisht deputetët, Kuvendin e Republikës dhe duke i rezistuar policisë shqiptare!!
Natyrisht, që kësaj proteste i janë bashkuar edhe qytetarë që kanë arsyet e tyre për të protestuar, siç kanë arsye dhe të drejtë për të protestuar një pjesë e mirë e popullit shqiptar në Republikën e Shqipërisë, edhe më shumë në Republikën e Kosovës…
E keqja është se protestën dhe arsyen ose të drejtën e popullit shqiptar për të protestuar e ka marrë peng një grup – komunitet heterogjen që sa po vjen e po profilizohet si krahu “pacifist” dhe i “moderuar” i PDSH – së dhe i disa partizave të shkëputura nga PDSH – ja e Sali Berishës! Mbështetje e angazhuar e këtij krahu të “moderuar” pdshist janë bër LVV – ja e Prishtinës dhe Dega e saj në Shkup, VLEN – i!! Kurse, ata që po i fusin gishtat për interesa të huaja dhe që po përpiqen të përfitojnë janë të shumtë… Pjesë e këtij “psheshi” janë bërë edhe disa media të mercenarizuara (që hanë bukën e botës)!
Projekti dhe praktika e tendencës konstante për të ushtruar presion mbi shtetin shqiptar është e moçme sa vet shteti ynë kombëtar. Rrënjët e këtij projekti dhe të platformave (programeve) shoviniste – fashiste duhet kërkuar te copëtimi i Shqipërisë (pushtimi i dy të tretave të saj)… Shtetet shoviniste fqinje, që kishin pushtuar më shumë se dy të tretat e Shqipërisë gjatë shekujve XIX e XX, e kishin dhe e kanë strategji të tyre dobësimin, mundësisht zhbërjen e shtetit tonë kombëtar. Nga këto shtete shoviniste janë hartuar e provuar dhjetra plane e projekte (që i dimë e që s’i dimë) për dobësimin – shkërmoqjen e substancës sonë kombëtare dhe për spastrimin – shfarosjen e shqiptarëve nga krahinat që kishin pushtuar. Pengesë e pakapërcyeshme për jetësimin e plotë të atyre planeve dhe elaborateve fashiste ishte dhe mbeti TIRANA – shteti kombëtar i shqiptarëve… Prandaj, synim, qëllim dhe angazhim permanent ishte dhe mbeti goditja, dobësimi, sabotimi, përçarja dhe mundësisht shkatërrimi i këtij shteti. Për këto qëllime fashiste Jugosllavia pushtuese (edhe Greqia) është përpjekur në vazhdimësi t’i përdor shqiptarët e pushtuar por, për nderin dhe krenarinë tonë, pa sukses…
Me përjashtim të elementëve dhe të klasës kolaboracioniste, populli i pushtuar shqiptar nga Jugosllavia qëndroi dhe mbeti në krah të shtetit të tij, me Nënën Shqipëri. Pjesa e robëruar e kombit e kuptonte dhe e besonte, siç e beson edhe sot e përgjithmonë, se shpresa, shpëtimi, garancia dhe krenaria e kombit shqiptar në rajon është Republika e Shqipërisë, shteti i shqiptarëve. Pa Shqipëri s’ka shqiptarë. Elementi ose pjella me bindje, orientim dhe nostalgji për komunizmin jugosllav (jugokosovarët, edhe ndonjë patriot i shpenzuar) janë ata që po manifestojnë entuziazmin, përkrahjen dhe angazhimin në protestën e Tiranës!!? Interesant dhe fenomen për studim është edhe angazhimi, përfshirja dhe ndikimi i islamit radikal politik – antishqiptar në këtë protestë!! Këto “simbolika” i kanë frenuar dhe i frenojnë shqiptarët që t’i bashkohen protestës…
Si përfundim, karakteristikë themelore e kësaj proteste, që i ka bashkuar këta njerëz me ideologji, fe dhe parti të ndryshme, janë kërkesat e saj (në emër të saj) për rrëzimin e Qeverisë shqiptare, destabilizimin e shtetit tonë!? Këto kërkesa, të publikuara nga “Komiteti…”, ngjajnë me kërkesat e protestave të Sali Berishës, ashtu siç ngjajnë dy pika uji me njëra tjetrën, janë të njëjtat! Prandaj, Berisha u bënte thirrje strukturave dhe anëtarëve të partisë së tij që t’i bashkoheshin protestës, por pa simbole partiake… Pa simbole partiake po angazhohen në këtë protestë edhe këta të LVV – së, bashkë me vlenistët e tyre! Kosova me viset e saj (Shqipëria Verilindore ose Shqipëria e Epërme) mbetet e lidhur ngushtë (si mishi me thoin) me Kryeqendrën e kombit tonë) dhe angazhohet, si gjithmonë, për një shtet shqiptar të konsoliduar, të fuqishëm dhe të aftë për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur kudo dhe në çdo kohë interesat e kombit shqiptar në rajon e në botë.
Qeveria shqiptare – Republika e Shqipërisë duhet të nxjerr mësime dhe duhet t’i trajtojë me seriozitet dhe përgjegjësi e kompetencë maksimale shqetësimet e qytetarëve, kërkesat dhe nevojat e tyre elementare, duke garantuar të drejta ekonomike, sociale, politike e qytetare të dinjitetshme për shek. XXI… Por, shteti shqiptar nuk guxon në asnjë mënyrë të tolerojë veprimtarinë subversive antikombëtare të individëve, grupeve, organizatave, fondacioneve dhe qarqeve radikale – ekstremiste fetare e politike, që cenojnë vlerat kombëtare, demokratike, laike dhe evropiane të shoqërisë shqiptare… Atdheu i përbashkët i shqiptarëve, Republika e Shqipërisë, është e hapur për të gjitha kulturat, civilizimet, gjuhët, besimet, etj, por kurrë në dëm të kulturës, traditës, gjuhës, besimeve dhe interesave shqiptare. Këtu nuk mund të ketë kompromis! Republika e Shqipërisë është dhe duhet të jetë e hapur edhe për marrëdhënie ekonomike e tregtare dhe për investitorë të huaj, por jo në dëm të ekonimisë së vendit dhe të interesave të tij… Kam dëgjuar qeveritarë që thonë se “Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut”!? Jo, zotërinj! Shtëpia e shqiptarit është e të zotit të saj. Rrjedhimisht, edhe Shqipëria (jo vetëm Republika e Shqipërisë) është e shqiptarëve. Aty ka vend edhe për Zotin që respekton gjuhën, traditat, mënyrën e jetesës, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar… Aty, natyrisht që ka vend edhe për të huajt që respektojnë këto vlera, rendin, interesat dhe ligjet e vendit…
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
