Sejdi Elezi: Liria u fitua me gjakun e më të mirëve tanë

Në Budakovë është mbajtur një manifestim përkujtimor në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të fshatit, ku u vlerësua kontributi i tyre në luftën çlirimtare të Kosovës dhe u riafirmua rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike.

Në ceremoni morën pjesë familjarë të dëshmorëve dhe martirëve, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësues institucionalë, përfshirë kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, komandantin Sadik Halitjaha, si dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Therandë, Sejdi Elezi, tha se Budakova zë një vend të veçantë në historinë e luftës çlirimtare, duke kujtuar se në këtë fshat ra dëshmori i parë i UÇK-së në komunën e Therandës, Kadri Kokollari.

Ai theksoi se pas kushtrimit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, djemtë e Budakovës iu bashkuan pa hezitim radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa fshati u shndërrua në një qendër të rëndësishme të organizimit të luftës.

Sipas Elezit, në Budakovë ishte vendosur edhe Komanda e Batalionit të Dytë të Brigadës 123 të UÇK-së, nën drejtimin e komandant Sadik Halitjahës, e cila pati rol të rëndësishëm në organizimin e rezistencës dhe mbrojtjen e popullsisë në Zonën e Pashtrikut.

Duke folur për sakrificën e dëshmorëve, Elezi tha se liria e Kosovës nuk është dhuratë, por rezultat i gjakut dhe flijimit të më të mirëve të vendit.

“Dëshmorët nuk ranë që të harrohen, por që ne të jetojmë me nder, dinjitet dhe përgjegjësi. Liria nuk na është dhuruar, ajo është fituar me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të Kosovës”, u shpreh ai.

Në fjalimin e tij, Elezi përmendi edhe procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shprehur besimin se drejtësia do të dëshmojë pafajësinë e tyre.

“Besojmë fuqishëm në drejtësinë e luftës sonë çlirimtare dhe shpresojmë që e vërteta të triumfojë, në mënyrë që ata të kthehen pranë familjeve të tyre dhe pranë popullit të Kosovës”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij, kryetari i OVL-UÇK-së në Therandë u bëri thirrje të rinjve që të ruajnë kujtesën për sakrificën e dëshmorëve dhe të angazhohen për ndërtimin e një Kosove me dinjitet, drejtësi dhe zhvillim.

Manifestimi u përmbyll me homazhe dhe nderime për dëshmorët dhe martirët e Budakovës, ndërsa u ritheksua se sakrifica e tyre mbetet themel i lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Posta e Kosovës nderon Pavarësinë e SHBA-së me pulë postare

Posta e Kosovës nderon Pavarësinë e SHBA-së me pullë postare

Filatelia e Postës së Kosovës, lëshon në qarkullim emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare kushtuar …