Në përkujtim të 69-vjetorit të krijimit të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit” u zhvillua një veprimtari përkujtimore me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga organizatat e Tiranës, Vlorës, Kamzës, Durrësit, Krujës, Klosit, Burrelit, Lezhës, Shijakut, Divjakës, Peqinit, Elbasanit, Tepelenës, Laçit, Vorës dhe qyteteve të tjera.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të OKDA-së, me Sekretarin e Përgjithshëm Enver Reçi, si dhe drejtues të shoqatave atdhetare, patriotike e kulturore “Myslim Peza”, “Tafil Buzi” dhe “Labëria”. Të pranishëm ishin gjithashtu presidenti i SHKULSH-it, Hamit Gojani, dirigjenti Prof. Zhani Ciko, përfaqësues të Këshillit të Qarkut, të Ministrisë së Mbrojtjes, profesorë dhe të ftuar të tjerë. Veprimtaria u çel me ekzekutimin e Himnit Kombëtar dhe u moderua nga gazetari dhe shkrimtari Albert Zholi.
Fjalën përshëndetëse e mbajti kryetarja e Komitetit Kombëtar të OVP LANÇ-it, Vera Tarifa e cila theksoi se: Idealet nuk plaken kurrë; ato jetojnë në zemrat e veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ-it. Kush punon vullnetarisht për atdheun, lë gjurmë që nuk i fshin koha. Sekretari i Përgjithshëm Veli Myftari në fjalën e tij vuri në dukje se: Dashuria për kombin nuk matet me fjalë, por me sakrifica dhe përkushtim. Ata që kujtojnë heronjtë dhe dëshmorët, mbajnë të gjallë ndërgjegjen kombëtare. Në fjalët e tyre ata u ndalën tek historia 69-vjeçare e organizatës, veprimtaria e zhvilluar ndër vite, ruajtja e vlerave të Luftës Nacionalçlirimtare, si edhe objektivat për vijimin e punës në të ardhmen. Në fjalën e tij “Meshtri i Madh” Zhani Ciko vuri në dukje se vullnetarizmi është pasuria më e madhe e shpirtit atdhetar. Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it është një shkollë e patriotizmit, e kujtesës dhe e sakrificës.
Aktiviteti si në një ditë feste vazhdoi me programin artistik me këngë dhe valle. U luajtën marshe partizane nga Orkestra Simfonike e MM, Dragonjtë e Shqipërisë dhe Hakmarrje të kënduara nga Klejdi Qose dhe Gesarda Sulollari. Ata që përkujtojnë datat dhe ngjarjet historike, mbajnë ndezur flakën e lirisë. Heronjtë bien në luftë, por idealet e tyre jetojnë në veprën e pasardhësve. Me këtë devizë filloi këngën Ruzhdi Dervishi dhe “Vallja dyshe” nga Ansambli “Visaret e Krrabës” nën drejtim artistik të Ilir Selbës. Të frymosh me hallet e atdheut është misioni më fisnik i një patrioti. Kombi forcohet kur bijtë e tij ruajnë historinë dhe nderojnë sakrificën.
Këto ishin vargjet e tri këngëve labe të kënduara nga grupi “Polifonia shqiptare”, një grup i cili ka mbi 30 vjet aktivitet dhe mbron Polifoninë nga tjetërsimet dhe huazimet. Ky grup është në “luftë” me teoricienët famëkeq se polifonia rrjedh nga sirenat greke apo kori bizantin. Këngëtari Hysni Hoxha përcolli një moment specifik me këngën epike “Mëmëdheu”. Në përfundim të aktivitetit u shpërndanë certifikata nderi dhe mirënjohjeje për veteranë dhe pasardhës të organizatës nga qytete të ndryshme të vendit, në vlerësim të kontributit të tyre në ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave historike e atdhetare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
