Leku shqiptar arrin nivel rekord ndaj euros, ekspertët kërkojnë shpjegime për forcimin e monedhës

Leku shqiptar ka shënuar një forcim historik ndaj euros, duke arritur këtë javë nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Sipas kursit të këmbimit, një euro është këmbyer me vetëm 93.62 lekë. Në teori, një monedhë vendase më e fortë do të duhej të ulte çmimet e mallrave të importuara, të zvogëlonte kostot për bizneset dhe të rriste fuqinë blerëse të qytetarëve. Megjithatë, ekonomistët theksojnë se në Shqipëri çmimet e ushqimeve vazhdojnë të mbeten ndër më të lartat në rajon, ndërsa eksportuesit po përballen me vështirësi për shkak të humbjes së konkurrueshmërisë. Forcimi i lekut ka nxitur debat mes Qeverisë, opozitës dhe ekspertëve të ekonomisë. Qeveria argumenton se rritja e vlerës së lekut është rezultat i hyrjes së sasive të mëdha të valutës në ekonomi, të nxitura nga turizmi, investimet e huaja dhe remitencat. Në anën tjetër, opozita pretendon se kursi i këmbimit ndikohet edhe nga ekonomia joformale dhe pastrimi i parave, ndërsa një pjesë e ekonomistëve vlerësojnë se të dhënat zyrtare nuk janë të mjaftueshme për të shpjeguar plotësisht forcimin rekord të monedhës shqiptare dhe kërkojnë një analizë më të thelluar të burimeve të valutës që hyn në vend. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk është euroja ajo që është dobësuar, por leku që është forcuar.

Kontrolloni gjithashtu

Përparim Rama ndërpret marrëveshjen me BIRN-in për Grand Hotelin: Nuk mund të ketë privilegje pa transparencë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka ndërprerë marrëveshjen me …