Rihapet gjykimi ndaj Millorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte në Ozdrim dhe fshatrat e Pejës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të rihapë shqyrtimin gjyqësor ndaj Millorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Ozdrim dhe në fshatra të tjerë të rajonit të Pejës. Vendimi u mor të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Donikë Shala-Abdyli, e cila bëri të ditur se rihapja e shqyrtimit është e nevojshme për plotësimin e procedurës gjyqësore. Sipas gjykatës, ishte kërkuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë dëshmia e dëshmitares Nurije Krasniqi, por institucioni ka njoftuar se nuk e posedon këtë dëshmi. Sipas aktakuzës, gjatë ofensivës së forcave serbe në fshatin Ozdrim, nga drejtime të ndryshme hynë ushtria e rregullt, grupet paramilitare dhe pjesëtarë të njësive speciale, të cilët hapën zjarr ndaj popullsisë civile shqiptare. Si pasojë, u vranë gjashtë civilë shqiptarë, ndërsa tre të tjerë, pasi u plagosën dhe u dërguan fillimisht në Spitalin e Pejës, sipas aktakuzës u ekzekutuan më pas dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë. Aktakuza përmend gjithashtu edhe pesë civilë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende dhe vazhdojnë të figurojnë si persona të zhdukur. Millorad Gjokoviq akuzohet se, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasje, tortura, arrestime të paligjshme, trajtim çnjerëzor, dëbim e deportim të civilëve shqiptarë, si dhe në plaçkitjen, djegien dhe shkatërrimin e shtëpive të tyre. Ai ngarkohet për veprën penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”, sipas nenit 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, që ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale.

Kontrolloni gjithashtu

Daut Haradinaj: Edhe opozita mban përgjegjësi për situatën politike në vend

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka deklaruar se edhe opozita mban …