Haki Abazi: E di kush qëndron pas profilit “Lule Gjeli”, Prokuroria Speciale duhet ta zbardhë rastin

Ish-deputeti Haki Abazi ka deklaruar se e njeh personin që, sipas tij, qëndron pas profilit në rrjetet sociale “Lule Gjeli”, duke bërë thirrje që Prokuroria Speciale ta hetojë plotësisht këtë rast dhe ndikimin e tij në debatin publik. Abazi tha se është takuar më herët me personin në fjalë, i cili, sipas pretendimeve të tij, është prezantuar me identitete të ndryshme. “Është një njeri të cilin e kam takuar dhe qëndron mbrapa profilit ‘Lule Gjeli’. Prezantimi i tij ka qenë me identitete të ndryshme, ka mundur të jetë Gendi, Taulanti e të tjera”, deklaroi Abazi. Ai tha se nuk dëshiron të merret me spekulime rreth fotografive apo identitetit të personit, duke theksuar se zhvillimet në inteligjencën artificiale mund të krijojnë interpretime të ndryshme, ndërsa shtoi se tashmë institucionet e drejtësisë kanë nisur hetimet. Ish-deputeti ngriti pretendime se pas këtij profili fshihet një mekanizëm që ai e quajti “milicia e Facebook-ut e Lëvizjes Vetëvendosje”, për të cilën tha se synon individë, procese të rëndësishme shtetërore dhe madje edhe zyrtarë ndërkombëtarë. Abazi e cilësoi të rëndësishëm procesin e nisur nga Prokuroria Speciale, duke thënë se hetimi duhet të ndihmojë në zbardhjen e manipulimeve të mundshme dhe ndikimit të tyre në jetën publike.

Kontrolloni gjithashtu

Rihapet gjykimi ndaj Millorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte në Ozdrim dhe fshatrat e Pejës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të rihapë shqyrtimin gjyqësor ndaj Millorad Gjokoviqit, i akuzuar …