Arrestohen dy të dyshuar për masakrën e 23 civilëve shqiptarë në Zubin Potok – akuzohen për plaçkitje dhe ekzekutim gjatë luftës

Dy persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë, në një rast që lidhet me vrasjen e 23 civilëve shqiptarë më 19 prill 1999 në territorin e Zubin Potokut. Sipas Policisë së Kosovës, arrestimet janë realizuar pas veprimeve intensive hetimore të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë. Bazuar në informacionet e publikuara nga mediat vendore, të arrestuarit janë M.J., 80 vjeç, dhe M.B., 65 vjeç. Ata dyshohen se më 19 prill 1999 kishin plaçkitur dhe më pas ekzekutuar 23 civilë shqiptarë, të cilët po përpiqeshin të largoheshin drejt Malit të Zi për t’i shpëtuar dhunës së forcave serbe. Sipas dyshimeve të autoriteteve hetimore, pas ekzekutimit trupat e viktimave ishin varrosur në një lokacion pranë lumit në fshatin Kalludër e Vogël. Ky rast konsiderohet një ndër krimet e rënda të luftës që vazhdon të hetohet edhe pas më shumë se 27 vjetësh. Arrestimet e fundit shihen si pjesë e përpjekjeve të institucioneve të drejtësisë për të ndjekur penalisht autorët e dyshuar të krimeve të kryera ndaj civilëve gjatë luftës në Kosovë. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij krimi dhe për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë.

Kontrolloni gjithashtu

Alberije Smajl Elezaj” Avniu, vrau kriminelin Shalipuri, por drejtësia nuk e zbuloi kurrë kush e vrau Avniun

Në një intervistë ekskluzive për Radio Kosova e Lirë, motra e heroit Avni Elezaj dhe …